Partitë politike vazhdojnë t’i thyejnë masat anti-Covid në fushatën zgjedhore

20:28 | 28 Dhjetor 2020

Fushata zgjedhore, partitë vazhdojnë t’i thyejnë masat anti-Covid.

Brenda 24 orëve Policia e Kosovës ka shqiptuar 392 gjoba, partitë vazhdojnë të thyejnë masat anti-covid.

Policia e Kosovës po vazhdon të kujdeset që qytetarët të respektojnë masat anti-covid.

Nga ky institucion kanë thënë se gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 392 gjoba në bazë të Ligjit COVID.

‘’Policia e Kosovës, të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka, përfshirë angazhimet policore në zbatim të ligjit NR. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, ku në tërë territorin e Republikës së Kosovës nga data – 26.08.2020 deri më datën 27.12.2020 janë shiptuar 106.056 Fletëparaqitje (tiketa), në bazë të ligjit ndaj personave pa dallime për moszbatim të masave ndaj pandemisë Covid-19’’

Mirëpo nuk dihet nëse këta të fundit po bëjnë një gjë të tillë edhe në aktivitetet e partive politike të cilat janë intensifikuar këto ditë.
Ani pse ende nuk ka një datë të saktë për zgjedhje, partitë kryesore në vend kanë filluar parafushatë – fushatën.

Kështu po vepron edhe partia në pushtet, LDK.

Zyrtarët e kësaj partie kanë filluar aktivitetet partiake, në vende të ndryshme.

Një gjë të tillë tregon edhe kjo fotografi ku shihet ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi.

Ani pse Ligji Covid, nuk lejon tubimin e më shume se 5 personave Abrashi këtu u pa në mesin e shume qytetarëve.

Madje shumë nga ta nuk bartin maska që janë obligative në bazë të ligjit.

Njëjte ka vepruar edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili ka vazhdar tubimet me strukturat drejtuese të Nismës në qytetin e Prizrenit.

Edhe këtu u pa një numër i madh i qytetarëve.

Tubime të tilla ka organizuar edhe AAK.

Kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj, ka zhvilluar takim me strukturat e degës së Aleancës në Deçan.

Ndërkaq vëllai i tij Daut Haradinaj ka gjetur një mënyrë tjetër për të bërë fushatë.

Ky i fundit ka organizuar një darkë ku të ftuar pati qytetarë nga Decani.

E kritikues të shkeljes së masave janë shpesh edhe LVV.

Por, edhe kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti u pa në vende ku kishte grumbullim të madh të qytetarëve.

Kurti bashkë me ish Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ish-ministren e Ekonomisë Rozeta Hajdari, Kryetarin e Qendrës së Vitisë, Nijazi Isaku, e bashkë aktivistë shënuan Krishtlindjen në Stubëll.

Edhe këtu pati mos respektim të masave

Masat nuk po respektohen edhe nga degët e partive ne qytete të ndryshme.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe te kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku.

Lushtaku ka publikuar një fotografi ku shihet në darkë me miq, që qëndrojnë afër njëri tjetrit e nuk respektojnë masat.

Edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, të dielën u ndodhë në një situatë të njëjte.

Përderisa e kaloi ditën në fshatin Aqarevë, ai aty u pritë nga disa qytetarë.

Nën tingujt e këngëve patriotike e çiftelisë.

E nisjen e fushatës para kohës si dhe tubimet e tilla në kohë Pandemie po i kundërshtojnë edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Partitë Politike kanë intensifikuar aktivetet partiake, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi qeverinë Hoti, pasi gjeti shkelje kushtetuese gjatë votimit të saj me 3 qershor të këtij viti.

Komento: