Pacolli letër sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ja ҫfarë i shkruan

14:11 | 12 Shkurt 2019

Sekretari i Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Gueterres, ka marrë një letër nga Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Pacolli thekson më tej se përparimet që ka bërë Kosova përgjatë viteve, është duke filluar perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Sipas tij, Kosova synon anëtarësimin në OKB, dhe për këtë qëllim janë të gatshëm të investojnë në potencialin për të përkrahur nisma dhe misione të OKB-së.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Pacollit:

“Letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres

Sapo i jam drejtuar me një shkresë, Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ku i kam shprehur, që jemi të inkurajuar me zhvillimin në lidhje me diskutimet më të rralla pranë Këshillit të Sigurimit për Republikën e Kosovës. Me përparimet që ka bërë Kosova përgjatë viteve, po fillon perspektiva e anëtarësimit në një të ardhme të shpejtë, të Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Sekretarin e Përgjithshëm, Guterres, e informova që anëtarësimi në OKB, është veçanërisht i mundshëm tani, për faktin se Serbia, ndonëse me vështirësi, së voni ka filluar të shfaqë sinjale të hershme, që është e interesuar të ecë përpara dhe të pajtohet me të vërtetën e afirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me Opinionin e 22 Korrikut, 2010, me të cilin konfirmohet se shtetësia e Republikës së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën publike ndërkombëtare.

Po ashtu, Sekretarit Guterresi i kërkova vëmendje të shtuar ndaj Opinionit të GjND-së, si institucioni më i lartë i drejtësisë i OKB-së, Opinion i cili ka kuptimin e Njohjes Kolektive, dhe i cili është baza mbi të cilën Asembleja e Përgjithshme e OKB-së, ka ftuar në dialog të ndërmjetësuar nga BE. Pra nënkuptohet, se Rezoluta e Asamblesë së OKB-së, 64/298, e 9 Shtatorit, 2010, afirmoi fuqishëm shtetësinë tonë.

Në letër theksova se Opinioni i GjND-së, i ka mundësuar Serbisë të shoh këtë të vërtetë, veçanërisht në lidhje me atë se qëndrimi i saj diplomatik ndaj shtetësisë sonë, kërkohet që patjetër të ndryshojë.

Në qasjen time e informoj Sekretarin e Përgjithshëm, se tashmë me dialogun politik, me qëllim të përmbylljes së Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse, Ligjërisht, Ndërkombëtarisht Obligative, kemi ardhur në momentin e njohjes reciproke si dy vende të pavarura.

Sekretarin Guterres e informova që Republika e Kosovës synon anëtarësimin në OKB, dhe për këtë qëllim ne jemi të gatshëm të investojmë në potencialin tonë për të përkrahur nisma dhe misione të OKB-së, në funksion të paqes dhe stabilitetit për të gjithë”.

Komento: