Ja kur pritet të lirohen për në shtëpi pacientët e shtrirë në QKUK nga dy shpërthimet e fundit në Kosovë

13:30 | 21 Janar 2021

Pacientët e shtrirë në QKUK nga dy shpërthimet pritet të lirohen për në shtëpi javën e ardhshme.

Brenda pak ditësh dy shpërthime kanë ndodhur në vend, njëri në afërsi të lagjes “Marigona” e tjetri në një restorant në Ferizaj.

Si pasojë e këtyre shpërthimeve, lëndime trupore kanë pësuar dhjetëra persona.

Shumë nga të lënduarit kanë qëndruar të shtrirë me ditë të tëra në Klinikën e Kirurgjisë Plastike.

Por, Drejtori i kësaj klinike Zenë Buja, ka konfirmuar për emisionin “#gjesi” në T7, se gjendja e pacientëve në përgjithësi është e mirë dhe të njëjtit pritet të lirohen javën e ardhshme.

“Klinika është ballafaqu me një fluks të madh të pacientëve me djegie si pasojë e dy shpërthimeve. Si rezultat i shpërthimit të parë afër lagjes Marigona, kemi pranuar tetë pacientë, nga këta pesë pacientë janë lëshuar në shtëpi, ndërsa tre prej tyre është dashur t’i trajtojmë me teknikën e transplantit lëkuror…Nga shpërthimi në qytetin e Ferizajt, kemi trajtuar 17 pacientë, nga ta 6 pacientë janë dërgu për trajtim jashtë vendit, ndërsa pacientët e tjerë 8 i kemi trajtu në klinikën tonë. Pesë janë trajtu me teknikën e transplantit lëkuror”, tha Buja për T7.

Ai tha se pacientët e shpërthimit të parë të hënën do t’i lëshojnë në shtëpi, “ndërsa këta nga shpërthimi i dytë në Ferizaj nga fundi i javës së ardhshme do t’i lëshojmë për në shtëpi”, shtoi doktori ndër të tjera.

Komento: