Kjo është nënshtetësia e dytë e Kurtit, Haradinajt, Pacollit e të tjerëve

15:05 | 25 Janar 2021

Nënshtetësia e dytë e Albin Kurtit, Ramush Haradinajt , Behgjet Pacollit e të tjerëve.

Disa prej kandidatëve që synojnë të futen në Kuvendin e Kosovës kanë nënshtetësi të dyfishtë. Në listën e kandidatëve me nënshtetësi të dyfishtë, prijnë ata që përveç asaj kosovare, kanë edhe nënshtetësi shqiptare.

Në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, 27 për qind e deputetëve kanë nënshtetësi të dyfishtë.

Në mesin e tyre është edhe kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, përveç shtetësisë kosovare ka edhe atë të Shqipërisë. Njëjtë si Haradinaj janë edhe Time Kadriaj, Besnik Tahiri, Albena Reshitaj, Pal Lekaj, Rasim Selmanaj, e Gani Dreshaj.

Për dallim nga bashkëpartiakët, Dardan Islami i AAK’së përveç nënshtetësisë kosovare ka edhe atë të Britanisë së Madhe.

Ndryshe nga AAK, në listën e LDK’së ka vetëm tre kandidatë me nënshtetësi të dyfishtë, apo shprehur në përqindje, 10 për qind.

Behgjet Pacolli nga kjo listë ka nënshtetësi të Zvicrës, Anton Quni të Kroacisë dhe Muharrem Svarqa të Gjermanisë.

Në listën e Lëvizjes Vetëvendosje janë 11 kandidatë me nënshtetësi të dyfishtë, apo 37 për qind.

Kreu i partisë, Albin Kurti, përveç nënshtetësisë kosovare ka edhe atë shqiptare. Përveç Kurtit, nënshtetësi shqiptare kanë edhe Glauk Konjufca, Liburn Aliu, Mimoza Kusari, Hydajet Hyseni, Hysamedin Feraj e Hajrulla Çeku.

Donika Gërvalla-Schëarz nga kjo listë ka nënshtetësi gjermane, ndërkaq Vasfjije Krasniqi e Haki Abazi kanë nënshtetësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë listë figuron edhe emri i Vjosa Osmanit, por Express ka pyetur stafin e saj i cili e ka mohuar se Osmani ka nënshtetësi tjetër përveç asaj kosovare.

Në listën e PDK’së janë shtatë kandidatë me nënshtetësi të dyfishtë.

Kandidati për Kryeministër i kësaj partie, Enver Hoxhaj, figuron se ka nënshtetësi të Austrisë, por nga stafi i tij i kanë thënë Gazetës se kjo nuk është e vërtetë dhe se ai ka vetëm nënshtetësi kosovare.

Uran Ismaili, Abelard Tahiri, Memli Krasniqi, Mergim Lushtaku dhe Ariana Musliu-Shoshi përveç nënshtetësisë kosovare kanë edhe atë shqiptare.

Ndërkaq Xhavit Haliti nga kjo parti ka edhe nënshtetësi Zvicerane.

Komento: