
Burdushi i bën ‘hajmali’ NISMA’s për ta kaluar pragun zgjedhor.
Zgjedhjet e ditës së sotme nuk ishin aspak të mira për NISMA’n. Partia e udhëhequr nga Fatmir Limaj ka marrë vetëm 2,70% të votave kur janë numëruar 76,68% të numrit total të votave.
Por një sihariq të mirë NISMA’s ia ka dhënë Hysni Peqani-Burdushi.
Mjeku popullor nga Prizreni, në një prononcim për Gazetën Online ‘Reporteri’, ka thënë se beson se NISMA e Fatmir Limajt do ta kalojë pragun.
“Besoj që edhe NISMA do e kalojë pragun”, ka thënë shkurt Burdushi për ‘Reporteri’.
Rezultati i sotëm, i zgjedhjeve të 14 shkurtit, sipas Burdushit, është ndikuar nga ‘sehiret’ që i kanë bërë ndërkombëtarët ndaj LDK-së e PDK-së.
“Janë disa magjistar që e mjegullojnë Kosovën që 21 vite”, ka thënë Burdushi.
Për rezultatin e madh të Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit, Burdushi tha se partia e Albin Kurtit është magjepsur me dashuri dhe ndershmëri për ditën e Shën Valentinit.
Ndërkaq, për PDK-në dhe LDK-në tha se dështuan në këto zgjedhje pasi kanë pasur ‘mësysh’ e ‘sehire’.
“PDK dhe LDK kanë pasur shumë mësysh e sehire. Sehiret kanë ardh prej ndërkombëtarëve”, tha Burdushi, për Reporteri.
Deri me tash KQZ ka numëruar 76,68% të votave në nivel të Kosovës.
Nga votat e numëruara, LVV ka marrë 48,14% të votave, PDK ka 17,51% dhe LDK ka fituar 13,35% të votave.
AAK ka rezulton të ketë marrë 7,43% të votave, sipas rezultateve aktuale preliminare të KQZ-së. Ndërkaq NISMA ka vetëm 2,70% të votave, duke i thënë lamtumirë Kuvendit.