
Basha e uron Kurtin: Procesi zgjedhor, model për rajonin.
Lideri i Partisë Demokratike në Shqipëri Lulzim Basha i ka uruar Albin Kurtit fitoren në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, ndonëse akoma nuk është shpallur rezultati zyrtar, duke cilësuar procesin zgjedhor si një “model demokracie për mbarë rajonin”.
“Urime VV, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren e zgjedhjeve. Kosova ka sfida të mëdha përpara. Jam i bindur se partia fituese e zgjedhjeve dhe partitë e tjera do të arrijnë t’i adresojnë dhe zgjidhin ato në të mirë të qytetarëve të Kosovës”.
Lideri demokrat deklaroi se do të jetë i lumtur të bashkëpunojë “ngushtësisht me qeverinë e re të Kosovës, si sa i përket proceseve të integrimit euroatlantik dhe vijimit të njohjeve ndërkombëtare, ashtu dhe për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve tona”.
“Përgëzime nga zemra qytetarëve të Kosovës, institucioneve dhe partive politike për një proces zgjedhor shembullor me standarte europiane, model demokracie për mbarë rajonin”./ A2 CNN