Kërkesa e Trump që Serbia ta njohë Kosovën, ja çka thotë Thaçi

20:46 | 15 Shkurt 2019

Hashim Thaçi po merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Munih.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është inkurajuese kërkesa e presidentit të SHBA’së, Donald Trump për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që Serbia ta njohë Kosovën.

Thaçi nga Munihu, ku po merr pjesë në Forumin e Sigurisë, thotë se SHBA kërkon që Kosova dhe Serbia ta përmbyllin me marrëveshje konfliktin e zgjatur më shumë se një shekull.

“E ardhmja është e sigurt për hapjen e perspektivës së dialogut dhe marrëveshjes. Siç e ka theksuar edhe në letër presidenti i SHBA’së, Donald Trump, ne duhet të lëvizim më shpejt, është momentum dhe të gjithë duhet ta ruajmë këtë fokus të SHBA’së që të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për njohje reciproke. Gjithashtu është edhe më inkurajues mesazhi që Trump i dërgon në letrën e fundit presidentit të Serbisë, Vuçiq, për domosdoshmërinë e njohjes reciproke”, ka thënë ai.

“Pra Shtëpia e Bardhë, SHBA’ja, kanë një angazhim të theksuar, të drejtpërdrejtë dhe të vendosur në përmbylljen njëherë e përgjithmonë të konfliktit të përhershëm për më tepër se një shekullor Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme”, tha Thaçi për televizionin publik të Kosovës.

Komento: