
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se në këtë formë të mësimit do të vazhdohet këtë javë, ndërsa për javën e ardhshme do të merret vendimi varësisht si do të jenë rekomandimet nga organet kompetente.
Nxënësit sot i janë rikthyer mësimit pas pushimit njëjavor, ndërsa për shkak të pandemisë COVID-19 klasat nga IV deri XII do të zhvillojnë mësimin online, kurse nga I deri V janë rikthyer në bankat shkollore.
Nagavci me këtë rast në një konferencë për media tha se ky vit me pandeminë nuk ka qenë i lehtë.
“Në këtë formë për këto nivele të shkollimit do të vazhdohet në këtë javë. Sigurisht se ne do të përcjellim si do të shkojë situata me pandeminë dhe për javën e ardhshme do të merret vendimi varësisht si do të jenë rekomandimet nga organet kompetente dhe në dakordim me drejtoritë komunale, varësisht prej rrethanave specifike në secilën komunë”, tha ajo.
Ministrja e Arsimit tha se është e vetëdijshme për sfidat që i kanë mësimdhënësit për organizimin e mësimit online, por sipas saj, me angazhimin e të gjithëve do të arrihet më e mira e mundshme.
“….Megjithatë, mësimdhënësit e prindërit e kanë barrën më të rëndë në këtë proces të mësimit në mënyrë virtuale, duhet shumë punë, duhet bashkëpunim e angazhim nga të dyja palët e që shpresoj se nuk do të mungojë…”.
Nagavci tha se komunat kanë raportuar se është kryer dezinfektimi i të gjitha shkollave dhe sa i përket pajisjeve teknologjike komuna ka marrë masat.
Ministrja e Arsimit ka folur edhe sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, duke thënë se do të trajtohet me prioritet.