Osmani asnjë fjalë për presionin e pushtetit ndaj mediave

18:06 | 17 Prill 2021

Osmani injoron detyrimet kushtetuese, asnjë fjalë për presionin e pushtetit ndaj mediave.

Hetues dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës zbarkuan sot në orët e mëngjesit në zyret e gazetës online “Insajderi”. Shkak për këtë u bë publikimi i dokumenteve ku pretendohet se ministri aktual i Shëndetësisë, Arben Vitia, me qëllim nuk e nënshkroi kontratën me Pfizer në lidhje me ardhjen e vaksinave.

Raportimet në lidhje me neglizhencën e Arben Vitisë në nënshkrimin e kontratës me Pfizer për ardhjen e vaksinave u pasuan me presion të jashtëzakonshëm ndaj mediave që publikuan dhe raportuan për një gjë të tillë. Menjëherë pas kësaj, ministri Vitia me anë të një konference për media kërkoi nga Prokuroria të fillojë hetimet, duke thënë se është shkelur konfidencialiteti shtetëror, shkruan lajmi.net.

E thirrja e Vitisë u pasua me një aksion të Policisë së Kosovës të cilët intervistuan Parim Ollurin, drejtor të gazetës Insajderi. Veprime të tilla të pushtetit u pasuan me reagime voluminoze dhe të ashpra nga shumica dërrmuese e opinionit publik të cilët e cilësuan si presion të jashtëzakonshëm ndaj mediave këtë që ndodhi sot.

Mirëpo, asnjë fjalë e asnjë veprim nuk u pa e as dëgjua nga Vjosa Osmani, presidente e vendit. Kjo e fundit, edhe me Kushtetutë të Kosovës, kompetencë kryesore e ka ruajtjen e rendit demokratik në vend.

“Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti i Republikës së Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë”, thuhet në Kushtetutë në lidhje me mandatin e presidentit të vendit.

Ndonëse Osmani i ka të precizuara mirë kompetencat e saja për funksionimin demokratik në vend, ajo nuk po i ushtron ato, kur rendi demokratik po cënohet seriozisht me presionin ndaj mediave.

E nuk dihet nëse arsye për këtë mos-veprim të Osmanit, është fakti se në këtë çështje është e përfshirë pikërisht partia me të cilën Osmani garoi në zgjedhje, Vetëvendosje. Për këtë të fundit, Osmani nuk kishte reaguar as gjatë kohës kur ishte u.d e presidentit, e kur militantë e zyrtarë të kësaj partie sulmonin verbalisht nga të katër anët kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën.

Për mos-reagim, Vjosa Osmani u akuzua sot edhe nga partia opozitare, PDK në një konferencë për media.

E për çështjen e presionit të pushtetit të Kurtit ndaj mediave ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Ky i fundit në një reagim të lëshuar sot gjatë ditës tha se është i papranueshëm fakti i intervistimit të një gazetari në lidhje me raportimet e tij, pasi që kjo përbën presion direkt.

Madje bëri thirrje që të merren masa ndaj prokurorëve dhe policëve që kanë keqpërdorur autorizimet e tyre.

“AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente që të fillojnë procedura disiplinore ndaj policëve dhe prokurorëve, të cilët kanë keqpërdorur autorizimet e tyre, si dhe u bën thirrje të gjithë akterëve relevantë që të ndalin presionin dhe pengimin e ushtrimit të profesionit ndaj gazetarëve. Njëherësh, AGK-ja inkurajon të gjithë gazetarët që të mos dorëzohen përballë pengimeve të tilla dhe të punojnë me përkushtim që ta informojnë publikun”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Reagime të ashpra pati edhe nga opozita dhe shoqëria civile, teksa dy krerët shtetërorë, Albin Kurti e Vjosa Osmani janë ndër të vetmit që në tërë këtë histori kanë mbetur të hështur.

Komento: