
Kryeministri Albin Kurti do të bëjë vizitën e parë zyrtare në Bruksel pas marrjes së mandatit të dytë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar për Klankosova.tv se kryeministri Kurti do udhëtojë kah mesi i javës së ardhshme.
“Kryeministri Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim në mes kryeministrit Kurti dhe Vuçiq”, ka thënë Kryeziu.
Zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ditë më parë ka thënë për Klankosova.tv se ende nuk është caktuar ndonjë datë apo agjendë për takimin e radhës në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se njoftimi do të bëhet në një kohë të përshtatshme.