
Armend Muja pati një sjellje jo të mirë ndaj një zyrtareje
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje pati debate të ashpra ndërmjet deputetëve, sidomos kur u diskutua për raportin e Radio Televizionit të Kosovës.
Por gjatë mbledhjes kryetari i këtij Komisioni, Armend Muja pati një sjellje jot ë mirë ndaj një zyrtareje të administratës.
Përderisa ajo u afrua për t’i komunikuar diçka deputetit Muja i njëjti e largoi duke e thënë “Ulu, mos m’u afro”, duke mos e dëgjuar fare çfarë pati për të thënë.
Pas publikimit të video-incizimit ka reaguar vetë Muja, i cili tha se rrethanat të cilat e sollën tek ajo sjellje ekspresive, nuk e arsyetojnë atë, por që janë mësim të është më i kujdesshëm dhe respektues ndaj stafit ndihmës.
Muja shprehi keqardhje për këtë rast dhe i kërkoj ndjesë publike punëtores së administratës së Kuvendit të Kosovës.
Postimi i plotë:
Reagim
Ngjarja e sotme në takimin e Komisionit për buxhet, punë dhe transfere e shkëputur në media e cila portretizon komunikimin tim me zyrtaren e Komisionit, është një ngjarje me të cilën nuk dua të karakterizohet personaliteti im. Gjatë seancës një nga zyrtaret e Kuvendit po propozonte forma se si të tejkalohej një ngërrç ndërmjet kërkesës së RTK-së për votim të shpejtë të raportit tremujor të shpenzimeve dhe nesh për një raport më të detajuar para votimit. Këto diskutime krijonin pak vështirësi në mbarëvajtje të seancës dhe diskutimeve nga deputetët.
Rrethanat të cilat sollën tek sjellja ime ekspresive, nuk e arsyetojnë atë, përkundrazi janë mësim të jem shumë më i kujdesshëm dhe respektues ndaj stafit ndihmës të Komisioneve funksionale të Kuvendit. Unë shpreh keqardhjen time për këtë ngjarje, i kërkoj ndjesë publike punëtores së administratës së Kuvendit dhe e mirëpres bashkëpunimin tonë të radhës. Në poziten e Kryetarit të Komisionit do të jem bashkëpunues dhe i hapur për të gjithë, deputetët, punëtorët e Kuvendit, mediat, shoqërinë civile dhe gjithë qytetarët e Republikës. Puna që kemi para vetit është me përgjegjësi të madhe, andaj edhe kujdesi ndaj tjerëve duhet të jetë i madh.
Me respekt,
Armend Muja.