Shpend Ahmeti tregon a po hyjnë në Qeveri

12:40 | 19 Shkurt 2019

Shpend Ahmeti flet nëse partia që drejton ai, PSD do të hyjë në Qeveri.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas diskutimeve të analistëve politikë në vend se partia e tij mund të hyjë në Qeveri. Ahmeti ka thënë se nuk ka pasur ndonjë takim apo bisedim për këtë gjë.

Ai ka folur edhe për taksën, për të cilën ka thënë se partia e tij vazhdon të mbajë qëndrimin se duhet të merret vendim i përbashkët se a duhet të hiqet apo jo

Këto komente i pari i PSD-së i ka bërë në profilin e tij në Facebook, ku ka shkruar se i mohon zërat për një Qeveri të re në mes të partisë së tij dhe LDK-së.

“Përderisa për LDK-në nuk mund të flas, sa i përket PSD-së, mund të konfirmoj se nuk ka pasë as edhe një takim apo diskutim për këtë gjë”, ka shkruar Ahmeti.

Ai tutje thotë se partia e tij do të vazhdojë të japë mbështetje politike për taksën, duke qenë kështu edhe pjesë e delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë.

Ahmeti ka shtuar se siç i ka thënë LDK-së dhe VV-së se PSD-ja nuk do ta ndihmojë Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë për shkak të taksës, njësoj i ka thënë edhe PDK-së, se nuk do ta ndihmojë që ta rrëzojë e as kërcënojë AAK-në, për t’i bërë presion kryeministrit Haradinaj për largim të taksës.

“Vazhdojmë të mbajmë qëndrimin që për taksën duhet të merret vendimi i përbashkët, ku edhe presionin edhe kritikat do t’i bartim bashkë. Taksa është e drejtë dhe është vendimi i parë pas të gjitha sulmeve që ka bërë Serbia ndaj nesh. Ne jemi të interesuar të dialogojmë me Serbinë sipas platformës që kemi aprovuar, por Qeveria ka të drejtë të marrë vendime për ta mbrojtur interesin e shtetit tonë”, ka theksuar Ahmeti.

Komento: