
“Dakordimi për vazhdim dialogu më 11 maj mund të jetë bërë me Beogradin, Zyra e Kryeministrit nuk ka pranuar ftesë”
Zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Perparim Kryeziu, ka thënë se Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë ndonjë ftesë për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj, ashtu siç u raportua në medie.
Kryeziu këtë gjë e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, derisa ka njoftuar se nesër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeminstrin Bislim Bislimi dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla do e vizitojnë Brukselin, shkruan Gazeta Express.
“Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj. Ndoshta, kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo me neve”, thuhet në postim.
“Kryeministri Kurti udhëton nesër në Bruksel, bashkë me zëvendëskryeminstrin Bislimi dhe zëvendëskryeministren Gërvalla, për takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së dhe me kreun e qeverisë belge. Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”, thuhet tutje.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë më 11 maj në Bruksel, sipas Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Pas një pezullimi gati 2 vjeçar, bisedimet ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2020 patën rifilluar, por ato sërish u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë që u mbajtën më 14 shkurt.