Gjiganti katalunas, Barcelona nuk e ka ndërmend të ndalet
Barcelona është shumë pranë nënshkrimit me mbrojtësin 19-vjeçar brazilian Vitao, që luan me skuadrën e Palmeiras.
Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, mbrojtësi i qendrës është përforcimi i radhës së skuadrës katalanase, për të cilin do të paguajë 20 milionë euro.
I gjatë 1.86 metra, lojtari pritet të mbërrijë që në fund të shkurtit në Spanjë dhe më pas Vitao do t’i bashkohet ekipit të Barcelona B. “Marca” e konsideron brazilianin si një gjigant të pakalueshëm në mbrojtje, që ka shkëlqyer edhe në kampionat.
Madje ai është grumbulluar si në kombëtaren U-17 ashtu dhe atë U-20 të Brazilit. Barcelona shpreson që ai të jetë lideri i mbrojtjes “blaugrana” pas 2-3 sezonesh, ku te skuadra B e këtij klubi do të mësojë filozofinë e lojës së Barcelonës.
Vitao do të fitojë përvojën e duhur të skuadra e Barcelonës B, për të qenë më pas gati për të kaluar në ekipin e parë. Ai mund të luajë edhe si mesfushor mbrojtës, ndaj te Barcelona presin shumë në të ardhmen e talentit 19-vjeçar.