Presidentja Osmani thotë se janë koordinuar me Kurtin për padinë për gjenocid ndaj Serbisë

18:19 | 13 Maj 2021

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është në koordinim të plotë me kryeministrin Albin Kurti sa i përket padisë për gjen.ocid ndaj Serbisë të cilën e ka paralajmëruar ky i fundit.

“Është dakordim i përbashkët i të trija institucioneve, sepse ne kemi takime të rregullta çdo të hënë në fushën e politikës së jashtme dhe fusha të tjera ku koordinojmë çdo qëndrim me kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, Ministren e Punëve të Jashtme dhe Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla. Çështja e padisë për gjen.ocid ka qenë natyrshëm njëra prej tyre për të cilën kemi dakordim të plotë”.

“Për secilin që i njeh për së afërmi masakrat që i ka kryer Serbia në Kosovë nxirret një përgjigje e qartë se qëllimi i forcave ushtarake dhe policore serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk ka qenë thjesht spastrimi etnik, qëllimi ka qenë i qartë që ishte shfarosja. Mjafton të shkohet në Poklek për ta parë përgjigjen për këtë. Përgjigja jonë dhe e ekspertëve me të cilët jemi konsultuar është se në Kosovë është kryer gjen.ocid”.

E para e shtetit ka deklaruar se përgatitja e kësaj padie është një proces që kërkon shumë seriozitet dhe përgatitje.

“Pjesa e përgatitjeve për një padi të tillë nënkupton përgatitje tejet serioze, involvim të një sërë institucionesh, hulumtim tepër të thellë dhe do të bashkëpunojmë me secilin shtet që do të na ndihmojë për të arritur drejtësi, sepse drejtësia dhe jo hakmarrja është e tëra që kërkojmë. Vetëm drejtësia do ta shpie këtë rajon përpara, sepse si e tillë është parakusht për paqe dhe pajtim”.

Komento: