
Drejtori i Departamentit për Euro-Azi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, Yacov Livne e ka falënderuar Kosovën.
Ky falënderim erdhi pas publikimit të qëndrimit zyrtar të Kosovës në lidhje me konfliktin e Izraelit me organizatën palestineze të shpallur terroriste, Hamas.
Livne shkroi “Faleminderit Kosovë”, ndërsa shpërndau qëndrimin zyrtar të Kosovës, të publikuar në rrjetin social Facebook, transmeton lajmi.net.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, sot përmes një postimi në Twitter deklaroi se si çdo shtet, edhe Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për ta mbrojtur popullin e vetë kundër raketave nga Hamasi.
“Si çdo shtet, edhe Izraeli ka të drejtën dhe obligimin për ta mbrojtur popullin e tij kundër 2000 raketave të hedhura mbi civilët vetëm nga Hamasi, i cili po mban peng civilët palestinezë në luftën e tij. Ne jemi të pikëlluar për të gjitha viktimat. Ne kërkojmë që të përmbahemi, ta ndalojmë dhunën dhe të kërkojmë zgjidhje paqësore”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.
