
Hoxhaj: Çdo demagog ka talent për t’i bërë reklamë vetës, këtë talent e ka edhe Kurti.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se programi i Qeverisë Kurti është më i dobëti dhe më i koti, ndërkaq theksoi se nuk ka as plan veprimi.
Hoxhaj gjatë fjalimit të tij u shpreh se nuk ka afate kohore dhe nuk ka buxhet e nuk dihen institucionet përgjegjëse për realizim të programit.
“Programi nuk ka plan veprimi, objektivat nuk përkthehen në aktivitete konkrete, nuk ka afate kohore, nuk ka buxhet, nuk dihen as institucionet përgjegjëse. Ky është programi më i dobët e më i kotë dhe do të mbahet mend për pasaktësinë aritmetike, për përsëritje në vend të përmbajtjes”.
Ai tha se Kurti ka krijuar bindje se do ta transformojë politikën e ekonominë në vend.
“Albin Kurti kishte krijuar bindjen dhe po bën përpjekje ta forcoj këtë bindje, që sapo ta tërheq Qeverinë që tash po e udhëheq do ta bënte transformimin politik e ekonomik në vend. Në fakt kjo ka të bëjë me diçka tjetër. Çdo demagog dhe populist e ka talentin e veçantë me i ba reklamë vetes e këtë talent e ka edhe Albin Kurti. Këtë material, asnjë gram nuk është program”.