Sot nuk kishte asnjë të vdekur nga Covid19: Kurti ka shpresë edhe pse s’ka vaksina

22:59 | 22 Maj 2021

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dalë me një deklaratë në profilin e tij ‘Instagram’ pasi gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë nuk u shënua asnjë vdekje nga COVID-19 dhe kështu ai ka thënë se kjo është një ditë shprese, shkruan Gazeta Metro.

Ai ka thënë se rënia e tillë e numrit të rasteve aktive i rrit shpresat edhe për rritjen e numri të të vaksinuarve në Kosovë, ani pse ende qeveria nuk e ka blerë asnjë vaksinë.

Përkundër kësaj, sipas një statistike të publikuar nga Adi Ćerimagić, analist në “The European Stability Initiative (ESI), Kosova radhitet e fundit për kah numri i të vaksinuarve (5 të vaksinuar në 100 banorë).

“Sot, kur u bënë dy muaj qëkur Qeveria jonë mori besimin e Kuvendit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës raporton për zero raste vdekjeje nga COVID-19. Kjo e shtunë i rritë shpresat tona me lakoret që shënojnë rënie të rasteve të reja dhe rritje të numrit të të vaksinuarve dhe të të shëruarve nga COVID-19.”, ka shkruar Kurti.

Kurti gjithashtu ka shkruar se çdo jetë e humbur në pandemi është humbje kolektive dhe ka ftuar qytetarët të qëndrojnë së bashku deri në ditën e buzëqeshjes për fitoren ndaj COVID-19.

“Ky përparim i brishtë shumë prej nesh i gjen në pikëllimin e thellë për më të dashurit që humbëm. Çdo jetë e humbur nga kjo pandemi, është humbje e jona kolektive. Të qëndrojmë të bashkuar deri në ditën kur lakorja për të cilën do të flasim, do të jetë ajo e buzëqeshjes në fytyrat tona për fitoren ndaj virusit.”, tha Kurti.

Përgjatë së shtunës, IKSHPK ka bërë me dije se asnjë person nuk ka vdekur nga koronavirusi në 24 orët e fundit, derisa janë shënuar 35 raste me Covid nga 3.199 mostra të marra.

Komento: