Policia lëshon njoftim, pasi që eskaloi situata në Kamenicë

14:39 | 23 Maj 2021

Nxënës e prindër të shumtë ishin mbledhur sot në fshatin Shipashnicë e Poshtme të komunës së Kamenicës për të kundërshtuar mbylljen e shkollës në këtë vend.

Me këtë rast si pasojë e kundërshtimit pati përleshje në mes banorëve dhe zyrtarëve policorë.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar zëdhënësin e policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani i cili tha se banorët e kanë bllokuar derën e hyrjes së shkollës me qëllim që mos t’i lënë zyrtarët komunal që të vendosin brenda shkollës inventarin për fëmijët parashkollorë.

“Në vendin e ngjarjes janë tri patrulla policore, mirëpo situata paraqitet e tensionuar. Aty janë mbledhur rreth 50 banorë të fshatit në shenjë pakënaqësie ku me këtë rast janë sulmuar zyrtarët komunal ku është përdorur edhe spreji nga ana e zyrtarë policorë”, tha ai.

Tutje u theksua se lidhur me zhvillimet e tjera policia do të jap informacione ndërkohë.

Lidhur me këtë ngjarje është deklaruar edhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati. Ai tha se banorët kanë kundërshtuar mbylljen e shkollës e cila po ndodh në bazë të reformave në arsim.

“Në Kamenicë vetëm 3.99% e fëmijëve shkojnë në kopsht. 96% të tjerë apo rreth 1400 fëmijë qëndrojnë në shtëpi. Edhe pse edukimi parashkollor është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e secilit fëmijë, në Kamenicë jo të gjithë e kanë këtë mundësi. Ashtu siç e kemi stërthënë, objektet e shkollave të fuzionuara do të përdoren për qëllimet më të mira për komunitetin. Dhe kështu, ne sot dërguam pajisjet dhe inventarin për çerdhen e Shipashnicës së Poshtme e cila do t’u shërbente fshatrave përreth. Është paraparë që të punësohen rreth 12 punëtorë dhe që dy vitet e para të jenë pa pagesë për fëmijët”, tha ai.

Njëashtu ai theksoi se është për keqardhje se në çfarë mase është manipuluar komuniteti nga disa “badihavxhinj”.

Komento: