Lojërat gjuhësore të Kurtit për t’i dhënë emra tjerë takimeve me Vucicin

21:28 | 04 Qershor 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet në mesin e qershorit në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksander Vucic në saje të vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi e që ishte poashtu edhe agjendë kryesore e vizitës së Miroslav Lajcak dhe Matthew Palmer në Kosovë e në Serbi, shkruan Gazeta Metro.

Por, Kurti në çdo formë po tenton që takimeve me presidentin serb, Aleksander Vucic t’iu japë emra të tjerë veç atij të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, ndonëse nga Brukseli thuhet qartë se dialogu po rifillon në qershor.

Në takimin multilateral të vendeve të Ballkanit Perëndimor ndonëse ishin prezent të dy së bashku, Kurti kishte mohuar kategorikisht të përmendte fjalët ‘takim’ e ‘dialog’, duke thënë se kjo ishte darkë tradicionale dhe ishte vetëm kaq.

“Darka në Bruksel nuk është dialog me Serbinë por është darkë tradicionale.”, kishte deklaruar Kurti.

Por, tani që është paralajmëruar nga të gjitha qarqet e rëndësishme të Bashkimit Evropian se në mesin e qershorit dialogu midis Kosovës dhe Serbisë do të rifillojë me një takim midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic, përsëri një gjë e tillë po thuhet ndryshe nga Kurti.

Në një deklarim të tijin, kryeministri Kurti ka thënë se ky takimi i mesit të qershorit nuk është i paraparë për vazhdimin e dialogut, por për formatin e ri të bisedimeve.

Ai ka thënë se do të ketë dialog të ardhshëm dhe kjo është tema e diskutimit në Bruksel, por ka refuzuar të përmend se do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic.

“Takimi i mesit të qershorit që është paralajmëruar nuk është i paraparë për të vazhduar dialogun e moçëm apo më të moçëm. Por është diskutim për formatin e bisedimeve në të ardhmen. Pra, nuk është takim i dialogut të ardhshëm, por takim për dialogun e ardhshëm. Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për deklaratat e të tjerëve, mirëpo qëndron ajo çfarë kemi thënë më herët. Do të ketë dialog të ardhshëm, por jo vazhdim të dialogut. Ka qeveri të re të Republikës së Kosovës, e cila ka program qeverisës. Ashtu siç e kemi premtuar, në secilën fazë të dialogut do ta ndajmë me Kuvendin e Kosovës”, ishin fjalët e kryeministrit Albin Kurti.

Por, Bashkimi Evropian thotë ndryshe. Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak në postimin e tij në Twitter pas takimit me Kurtin shkroi se kishin diskutuar për takimin e dialogut të nivelit të lartë në qershor.

“Me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, diskutuam përgatitjet e nevojshme për takimin e nivelit të lartë të dialogut në qershor”, kishte shkruar Lajcak.

Mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i takimit Kurti – Vucic në qershor, nëse kjo do t’i shërbejë siç thotë Kurti ‘formatit të ri’, apo do të jetë rinisje e vërtetë e dialogut Kosovë – Serbi, siç thotë Bashkimi Evropian.

Komento: