Policia liron Faik Fazliun

14:37 | 06 Qershor 2021

Lirohet Faik Fazliu, Klinaku thotë se janë faktet se ndaj tij u ushtrua dhunë.

Anëtari i Kryesisë së OVL-UÇK-së, Faik Fazliu është liruar pas arrestimit që iu bë mbrëmë në një kafiteri në rajonin e Prizrenit.

Lajmin për lirimin e tij e ka bërë të ditur u.d së Kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

“Ju informoj se sapo u lirua ish kreu i OVL UÇK-së, Faik Fazliu. Gjykata tani i ka edhe faktet me video, të ushtrimit të dhunës ndaj tij gjatë arrestimit”, ka shkruar ndër të tjera Klinaku.

Pak orë më parë nga Policia e Kosovës është theksuar se pas intervistimit, me urdhër të prokurorit Fazliu është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“I dyshuari F.F i lindur në vitin 1977, ka kanosur verbalisht personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrë zyrtare. Zyrtarët policorë po asistonin në kontrollimin e një lokali (kafiteri), së bashku më inspektorët e AUV-it, lidhur me mosrespektimin e masave antiCOVID19”, u tha në përgjigjen e policisë.

Gjithashtu u theksua se i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Prizren.

“I dyshuari është intervistuar nga hetuesi kujdestar dhe me aktvendim të Prokurorit, iniciohet rasti për “Kanosje ndaj personit zyrtar” dhe i dyshuari ndalet në mbajtje për 48 orë. Rasti është nën hetime”

Komento: