Enver Hoxhaj thotë se liturgjia e Kishës Ortodokse u bë me lejen dhe dijeninë e plotë të qeverisë së Kosovës

16:06 | 10 Qershor 2021

Hoxhaj: Liturgjia e Kishës Ortodokse u bë me lejen dhe dijeninë e plotë të qeverisë së Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas liturgjisë që është mbajtur sot në Kishën Ortodokse që gjendet në kampusin e Prishtinës.

Hoxhaj përmes një postimi ka thënë se liturgjia e Kishës Ortodokse Serbe në qendër të Prishtinës u bë sot me lejen dhe dijeninë e plotë të qeverisë së Kosovës.

Po ashtu, ka cekur se kurrë nuk mund të sigurohej ardhja e ipeshkvit Teodosije dhe pelegrinëve serbë pa lejen, ofrimin e sigurisë dhe mbështetjes politike nga Qeveria dhe se gjithçka rreth saj është politike.

Postimi i plotë i tij:

“Liturgjia e Kishës Ortodokse Serbe në qendër të Prishtinës u bë sot me lejen dhe dijeninë e plotë të qeverisë së Kosovës. Kurrë nuk mund të sigurohej ardhja e ipeshkvit Teodosije dhe pelegrinëve serbë pa lejen, ofrimin e sigurisë dhe mbështetjes politike nga Qeveria. Prandaj, sot, fatkeqësisht u kërcënua karakteri i shtetit të Kosovës dhe u hapën tema të reja në dialogun me Serbinë që do të konfirmohen në takimin e 15 qershorit mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Kjo liturgji më së paku është fetare. Gjithçka rreth saj është politike, që për qëllim ka vetëm shtrembërimin e historisë, të vërtetës dhe arsyetimin e një regjimi gjenocidial si ai i Millosheviqit. Gërmadha e ngritur dhe e papërfunduar në kohën e okupimit, duhej të trajtohej si e tillë – një projekt tjetërsimi shovenist ndaj shqiptarëve që u ndal dhe nuk përfundoi asnjëherë. Por jo, 22 vite pas luftës, kur plagët e dhimbjes nga lufta janë ende të hapura, të organizohet me lejen e plotë të qeverisë Kurti,një liturgji që është thellësisht politike, është e dhimbshme dhe e papranueshme”.

Komento: