Ministri Vitia thotë se çdo muaj pritet të vaksinohen rreth 320 mijë qytetarë

11:17 | 15 Qershor 2021

Vitia thotë se çdo muaj pritet të vaksinohen rreth 320 mijë qytetarë.

Sot ka nisur vaksinimi masiv kundër COVID-19 në Kosovë. Rreth kësaj, ka folur Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë se menaxhimi i pandemisë dhe ringjallja e ekonomisë mbetet prioritet i tyre.

“Menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe ringjallja e ekonomisë, janë prioritetet e qeverisjes sonë. Për të parën natyrisht që është shumë e rëndësishme dhe pa të nuk arrihet as e dyta. Sot po fillojmë një proces masiv. Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet shëndetësore i ka bërë përgatitjet për fillimin e planit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19”, tha Vitia para medieve nga salla 1 Tetori në kryeqytet.

Vitia tha se çdo muaj pritet të vaksinohen rreth 320 mijë qytetarë.

“Nga sot po hyjmë në një fazë të re të vaksinimit. Sot me 15 qershor po fillon ky proces i vaksinimit, ky moment shënon një kapërcim në luftën tonë kundër COVID-19. Mbi 1.2 milionë doza të Pfizerit pritet të vijnë deri në fund të vitit. Kemi planifikuar që çdo muaj të vaksinojmë rreth 320 mijë persona”, tha Vitia.

Mes tjerash, Ministri i Shëndetësisë tha se janë krijuar hapësira të reja dhe janë organizuar 279 ekipe mjekësore në nivel vendi për vaksinim.

“Ky proces kërkon përgatitje, mobilizim, profesionalizëm dhe vullnet për të kontribuar. Ne kemi bërë përgatitje dhe jemi të gatshëm për të përmirësuar atë përgjatë rrugës. Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me komunat ka krijuar hapësira të reja dhe ka organizuar 279 ekipe mjekësore në nivel vendi dhe ka ngritur infrastrukturën e nevojshme, ka siguruar vaksina të nevojshme”.

“Sot me kënaqësi them se tanimë kemi kaluar shifrën e 100 mijë të vaksinuarve, objektivi ynë mbetet 60% e popullatës. Me pjesëmarrjen, bashkëpunimin dhe punën e të gjithëve ne do të arrijmë objektivin. Aktualisht po vaksinohet kategoria e personave mbi 65 vjeçar dhe persona me sëmundje kronike pa dallim moshe. Imunizimi kundër COVID-19 ka qenë kryefjala e angazhimeve tona, sigurimi i vaksinave të nevojshme është përgjegjësi e jona, e qeverisë suaj por njëkohësisht gatishmëria juaj për t’ju përgjigjur pozitivisht thirrjes për vaksinim është e nevojshme”, tha Vitia.

Komento: