
Analisti politik dhe profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, ka komentuar takimin e sotëm në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të serbisë, Aleksander Vuçiq.
Ai me anë të një postimi në Facebook ka thënë se propozimet e Kurtit mund të duken mirë si retorikë politike, por si kushte janë për ndryshimin e karakterit të dialogut dhe si të tilla nuk funksionojnë.
“Në një dialog apo negociatë kushte vendos ai që është më i fuqishëm se pala me të cilën bisedon”, ka shkruar ai.
Ai tutje ka thënë se Kosova është në një lloj pozicioni ku nuk mund të imponojë kushte për dialogun e as të tërhiqet nga ai.
Kjo pasi që sipas tij, rezistenca e Kurtit mund të shihet si destruktivitet nga BE dhe SHBA.
Postimi i plotë i Latifit në Facebook:
Katër propozimet e Kurtit në takimin e tij me Vuçiqin duken mirë si retorikë politike, por si kushte për ndryshimin e karakterit të dialogut, nuk funksionojnë dot.Këtë do ta marrim vesh së shpejti. Në një dialog apo negociatë kushte vendos ai që është më i fuqishëm se pala me të cilën bisedon.
Në shtatë vitet e fundit politika kosovare ka punuar sistematikisht në dobësimin e pozicionit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës në raport me Serbinë. Si rezultat sot ne jemi në situatën kur as nuk mund t’i imponojmë kushtet tona të dialogut e as të tërhiqemi prej tij, ndërsa rezistenca e Kurtit do të ballafaqohet me rrezikun për t’u vlerësuar si pozicion destruktiv nga europianët dhe amerikanët.
Dihet se tradicionalisht kështu është vlerësuar pozicioni i Serbisë, por fatkeqësisht tani rolet janë ndryshuar dhe kjo krejtësisht për fajin tonë.