A do të rrëzohet Qeveria Haradinaj për shkak të taksës ndaj Serbisë!?

09:26 | 24 Shkurt 2019

Presione të mëdha e të shumta nga faktorë të ndryshëm po vijnë për Kryeministin e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Taksa e vendosur për mallrat serbe dhe boshnjake, ka ngritur dyshime se ajo mund të bëhet “mollë sherri” për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Haradinaj.

Por një gjë të tillë e mohon nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi.

Ai për Ekonomia Online thotë se kryeministrit të vendit, nuk i është kërkuar të dorëhiqet nga posti i kreut të ekzekutivit, për shkak të taksës.

Sipas tij, Qeveria le të rrëzohet nga 61 vota me anë të mocionit në Kuvend, nëse dikush mund të arrijë t’i sigurojë.

“Jo, nuk është bërë një kërkesë e tillë nga askush. Por, atë ditë që i bëjnë 61 vota kushdo, mundet ta kërkojë mocionin e mosbesimit për Qeverinë dhe normalisht që kur i kanë votat as nuk na pyesin, e kryejnë punën”, tha Isufi.

Numri dy i AAK-së, pohon se koalicioni qeverisës është duke funksionuar mirë.

Sa i përket deklarimeve kundërthënëse të partnerëve të koalicionit, ai i sheh si normale përderisa një Qeveri udhëhiqet nga disa parti të ndryshme.

“Koalicioni është duke funksionuar mirë, përkundër disa nuancave që ekzistojnë ndërmjet partive politike dhe për atë janë parti të ndara por që koalicionet lidhen zakonisht për interesa politike, institucionale për shoqërinë e Kosovës. Kur kemi parasysh këto interesa, ka edhe nuanca por me rëndësi është se vendimet janë të Qeverisë, janë të përbashkëta dhe në vazhdimësi kemi vendime që merren me shumicë dhe përcaktojnë vijën programore të kësaj Qeverie”, u shpreh Isufi.

Raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Isufi thotë se nuk janë ndërtuar për një ditë, andaj sipas tij, ato janë tradicionale dhe të fuqishme.

Isufi tha se krerët e shtetit, nuk mund të tërhiqen nga vendimet e tyre, përderisa shton se Kosova nuk mund të bëhet mall kusuritje për të tjerët në rajon.

Ai i kërkon ShBA-së, t’i bëjë presion Serbisë.

“Por, nuk bën të tërhiqemi ne nga vendimet tona për shkak se nuk mund të bëhemi ne vazhdimisht mall kusuritje për të tjerët në rajon. Kjo kërkohet nga ana e Kosovës por nuk po i bëhet trysni Serbisë, nuk po i bëhet trysni politikës së Vuçiqit e Daçiqit e të tjerëve, të cilët po e ndjekin të njëjtën politikë të Millosheviqit. Duhet njëherë shkaktari të akuzohet dhe të ndalet, Kosova edhe ashtu është drejt integrimeve evropiane e përcaktuar, është pro perëndimore, pro amerikane, madje populli më pro amerikan në Ballkan dhe interesi i ShBA është që të jetë me Kosovën, të jetë me shqiptarët dhe të ketë një strategji të veçantë në Ballkan. Kjo kundërvënie është kundër Serbisë, kundër Rusisë. Kështu duhet të kuptohet dhe çdo kundërvënie ndaj Rusisë në këtë moment është pro”, shtoi Isufi.

Komento: