Më 16 korrik LDK prezanton kandidatin për kryetar të Gjilanit, a do të jetë Lutfi Haziri?
Lidhja Demokratike e Kosovës do të organizoj konventë dy ditore në Gjilan më 16 dhe 17 korrik ku ndër të tjera do të zyrtarizohet edhe kandidati i këtij subjekti për kryetar të Gjilanit.
Këtë për “Indeksonline”, e ka konfirmuar anëtari i kryesisë së LDK-së në Gjilan dhe nënkryetari i komunës, Arbër Ismajli.
“Më 16 dhe 17 LDK organizon konvente dy ditore në Gjilan. Kanë më raportu komisionet profesionale dhe ka më u zyrtarizu kandidati për kryetar të komunës”, ka thënë Ismajli.
I pyetur se kush pritet të jetë kandidat nga radhët e LDK-së për kryetar të komunës, Ismajli ka thënë se do të ketë edhe një diskutim në struktura dhe pastaj do të vendoset.
Në këtë konventë pritet të marrë pjesë edhe kreu i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku.
Kryetari aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri nuk e ka pohuar e as mohuar mundësinë që të jetë sërish pretendent për ta drejtuar këtë komunë.
Në anën tjetër, edhe Arbër Ismajli shihet si kandidat potencial nga radhët e LDK-së për të qenë kandidat për të parin e Gjilanit.
As partitë tjera nuk kanë zyrtarizuar ende kandidatët e tyre për kryetar të kësaj komune të anamoravës.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor.