Ja si iu ekzekutuan pagat 20 zyrtarëve serbë në ministri, pa dalë në punë asnjë ditë

13:08 | 14 Korrik 2021

Si iu ekzekutuan pagat 20 zyrtarëve serbë në ministri, pa dalë në punë asnjë ditë.

Njëzet punëtorë të komunitetit serb kanë marrë paga për një vit rresht nga buxheti i shtetit, ani pse s’kishin dalë as edhe një ditë në punë. Sipas Auditorit, për pagat e tyre janë shpenzuar mbi 100 mijë euro, raporton Express.

Në Kosovë po del se mund të marrësh pagë edhe pa punuar asnjë ditë. Këtë “mundësi” e kanë shfrytëzuar 20 zyrtarë të komunitetit serb, të cilët është dashur të sistemohen nga ish Minisrtria e Administratës Publike, që tash funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Asnjë prej këtyre zyrtarëve nuk ishin paraqitur në vendin e punës gjatë vitit të kaluar, por ministria kishte bërë pagesën e pagave të tyre.

Kështu ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për Minstrinë e Punëve të Brendshme.
Sipas Auditorit, shkaku i mosparaqitjes në punë të këtyre zyrtarëve ishte moskrijimi i kushteve të duhura për punë, kontrolli i dobët dhe mosmonitorimi i tyre nga menaxhmenti i ministrisë.

“Zyrtarët e lartcekur, në vitin 2020, nuk ishin paraqitur në vendin e punës, përderisa ministria kishte bërë pagesën e pagave të tyre në vlerë totale 100,583€. Shkaku i mos paraqitjes në punë të këtyre zyrtarëve ishte mos krijimi i kushteve të duhura për punë, kontrolli i dobët dhe mos monitorimi i tyre nga menaxhmenti i ministries”, thuhet në raport.

Raporti i Auditorit

ZKA’ja ka dalë në përfundim se pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë shkakton dëmtim të buxhetit dhe njëkohësisht ndikon në mosarritjen e objektivave të përcaktuara me marrëveshje, derisa ka dalë edhe me disa rekomandime për Ministrin.

“Ministri duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar krijimin e kushteve për vijueshmërinë e rregullt në punë të komunitetit serb, kompensimin e tyre me pagë vetëm pas paraqitjes së rregullt në punë duke bërë monitorimin e tyre të vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet nënligjore”, thuhet në raportin e ZKA’së.

Komento: