Kuvendi dështoi të debatojë për “Hortikulturën”

23:43 | 23 Korrik 2021

Kuvendi dështoi të debatojë për “Hortikulturën”, por çfarë ka gjetur Auditori për këtë ndërmarrje.

Kuvendi i Kosovës gjatë seancës së të enjtes ka pasur disa përplasje nëse duhet të shqyrtojë apo jo Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ndërmarrjes Publike Lokale “Hortikultura” SHA për vitin 2020.

Deputetët ishin të mendimit se duhet një opinion ligjor nëse duhej të diskutonin për një ndërmarrje që është në pronësi të një komune me 100 për qind të aksioneve.

Por, çfarë ka shkruar ZKA në raport për këtë Ndërmarrje të Prishtinës, e cila merret kryesisht me mirëmbajtjen e gjelbërimit në kryeqytet, shkruan lajmi.net.

Auditori ka gjetur mosprezantim të saktë të stoqeve dhe shpenzimeve të periudhës.

Sipas Kornizës Konceptuale të Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit, paragrafi 4.49, ‘Njohja e shpenzimeve’ – shpenzimet njihen në pasqyrën e të ardhurave kur kemi një zvogëlim të përfitimeve ekonomike në të ardhmen lidhur me zvogëlimin e një aktivi ose rritje të një detyrimi, e cila mund të matet me besueshmëri.

Bazuar në raportin e komisionit për inventarizim, sipas auditorit, vlera e stoqeve ishte 66,025 euro, shumë e cila nuk ishte përfshirë në pasqyrën e pozicionit financiar, por për këtë zë kontabël ishte prezantuar vlera zero, duke nënvlerësuar gjendjen e stoqeve për këtë shumë. Për më tepër, kjo qasje e trajtimit kontabël ishte ndryshe nga viti paraprak ku vlera e Stoqeve në fund të vitit ishte prezantuar në shumën 12,645 euro.

Auditori thekson se, sipas konfirmimeve zyrtare, stoqet janë prezantuar në pasqyrën e pozicionit financiare me vlerë zero, pasi që vlera e tyre ishte njohur si shpenzim i periudhës në pasqyrën e të ardhurave, me rastin e pranimit të mallit e jo me rastin e përdorimit/shpenzimit të tyre apo të daljes nga depo.

“Regjistrimet e tilla kanë për efekt, mbivlerësimin e shpenzimeve si dhe nënvlerësimin e stoqeve. Rrjedhimisht, kjo ndikon në prezantimin jo të saktë të informacioneve në pasqyrat financiare”, ka shkruar ZKA.

E gjetur tjetër është evidentuar “Mos prezantim i saktë i pasqyrës së rrjedhës së parasë”.

‘Paraqitja e pasqyrave financiare’, një njësi ekonomike duhet të përgatisë pasqyrat financiare të saj, me përjashtim të informacionit mbi rrjedhën e parasë, mbi bazën e kontabilitetit rritës. Qëllimi i pasqyrës së rrjedhës së parasë, është për të plotësuar nevojat e përdoruesve të informacionit kontabël në lidhje me rezultatin monetar dhe me fluksin e lëvizjes së mjeteve monetare gjatë një periudhe kontabël.

Kompania kishte hartuar pasqyrën e rrjedhës së parasë, mirëpo siç ka zbuluar auditori, tek rrjedha e parave nga aktivitetet operative, ishte prezantuar shuma (11,953) euro, me përshkrimin “Rregullimet në fitimin e mbajtur”, e shtuar vetëm për qëllim të barazimit të gjendjes së parave në fund me gjendjen e prezantuar të parasë në pasqyrën e pozicionit financiar. “Përveç kësaj, bazuar në çështjet e ngritura për zërat kontabël si stoqet dhe të hyrat e shtyra, zëra të aktiviteteve operative të rrjedhës së parasë, vijmë në përfundim se rrjedha e parasë nuk prezanton një informacion të saktë”, ka shkruar auditori.

Zyrtarët e kompanisë, këtë e kanë arsyetuar para auditorit se shuma e zërit të shtuar “Rregullimet në fitimin e mbajtur”, ka ndodhur me qëllim të barazimit të gjendjes së parave në fund me gjendjen e parasë në pasqyra financiare, si rrjedhojë e disa gabimeve financiare në vitin e kaluar.

“Mos prezantimi i saktë i pasqyrës së rrjedhës së parave ndikon në mos prezantimin e saktë të hyrjeve dhe daljeve të parasë”, ka shfaqur rrezikun auditori.

Auditori ka gjetur mos prezantim të saktë të të hyrave të shtyra nga grantet

Në raport është theksuar se asetet e financuara nga grantet (25 asete), ishin regjistruar në kontabilitet në vlerë 264,392 euro, mirëpo sipas analizës ZKA vlera neto e tyre në libra do të duhej të ishte 208,000 euro. Rrjedhimisht, asetet ishin nënvlerësuar për 56,392 euro, dhe si pasojë, zëri kontabël “Të hyrat e shtyra” nuk ishte prezantuar saktë në PF. Për më tepër, informatat financiare lidhur me asetet e financuara nga grantet nuk ishin të përfshira në shënimet kontabël të Kompanisë, por ato mbahen në një regjistër -fletë Exceli.

“Gabimet e identifikuara lidhur me të hyrat e shtyra nga grantet kanë për efekt mbivlerësimin detyrimeve, rrjedhimit prezantim të pa saktë të pasqyrave financiare. Ndërsa mos përfshirja e tyre në shënimet kontabël, rrezikon që këto asete të jenë subjekt i manipulimit të mundshëm”, ka shprehur rrezikun auditori.

Po ashtu, është evidentuar mangësi në regjistrimin e shpenzimeve të zhvlerësimit për asetet e rivlerësuara.

Aktivet afatgjata materiale, aktivi përdoret nga njësia ekonomike, madhësia e tepricës së transferuar (rivlerësimit) do të jetë diferenca mes amortizimit të bazuar në vlerën kontabël (neto) të rivlerësuar të aktivit dhe amortizimin e bazuar në koston fillestare të aktivit.

“Përkundër prezantimit të saktë të shumës së zërit kontabël “Rezerva e rivlerësimit” në pasqyrën e pozicionit financiar, veprimet kontabël për këtë zë nuk janë kryer në mënyrë të saktë. Shuma 1,055,385€, e rezervës së rivlerësimit të ndërtesës së rivlerësuar, ishte regjistruar gabimisht tek kapitali i pronarit, si dhe zhvlerësimi i ndërtesës së rivlerësuar, në shumën 59,769€, e cila nuk ishte zbritur nga rezerva e rivlerësimit. Sipas konfirmimeve zyrtare, kjo ka ndodhur si pasojë e sistemit softuerik që nuk e mundëson një regjistrim të saktë të rezervës së rivlerësimit dhe shpenzimeve të zhvlerësimit për ndërtesën. Për më tepër, trajtimin e tyre sipas kërkesave të standardeve në pasqyra financiare e ka konsideruar si të mjaftueshëm”, ka shkruar Auditori.

E gjetura tjetër ka të bejë me mos prezantim i saktë i pasqyrës së ndryshimeve në ekuitet.

Paraqitja e pasqyrave financiare, një pako e pasqyrave financiare, duhet të përmbajë edhe një pasqyrë të ndryshimeve në ekuitet, e cila paraqet një përmbledhje të të gjitha ndryshimeve në ekuitet. Auditrori ka gjetur se ekuiteti ishte prezantuar në pasqyrat financiare, në shumën 1,489,701 euro, ndërsa në shënimet kontabël vlera e tyre ishte 2,477,192 euro, me një diferencë prej 987,491 euro. Për më tepër, zëri kontabël “Fitimet e mbajtura”, i prezantuar në pasqyra financiare në shumën 477,085 euro, nuk ishte regjistruar në kontabilitet.

Sipas konfirmimeve zyrtare, që i janë dhenë Auditorit nga “Hortikultura” regjistrimet në shënimet kontabël lidhur me ekuitetin janë si pasojë e disa regjistrimeve gabim në vitet paraprake dhe për shkak të mos ofrimit të mundësisë nga softueri i kontabilitetit që t’i korrigjojnë këto shënime.

“Mos korrigjimi i shënimeve analitike sipas vlerës reale të ekuitetit dhe fitimeve të mbajtura ndikon që këta zëra të mos prezantohen saktë në pasqyrat financiare”, ka shprehur rrezikun ZKA.

“Mos prezantim i saktë i shënimeve shpjeguese”, është njëra prej të gjeturave tjera. “Si rrjedhojë e mangësive të cilat janë identifikuar dhe prezantuar në këtë raport për zërat në vijim: të hyrat e shtyra, pasuritë jo qarkulluese, kapitalin dhe stoqet, janë paraqitur mangësi edhe në shënimet shpjeguese, të cilat nuk japin informacione të plota dhe të sakta”, ka shkruar auditori, duke thelsuar se shkak i mos prezantimit të saktë të shënimeve shpjeguese, ishin gabimet e identifikuara në zërat e sipërpërmendur, të cilat kanë efekt edhe tek shënimet shpjeguese.

Një tjetër e gjetur ka të bëjë me “Mos harmonizimi i raportit të inventarizimi dhe regjistrit të aseteve”.

Sipas ZKA, komisioni për regjistrim të aseteve, me datë 30.12.2020 kishte dorëzuar raportin përfundimtar të regjistrimit të aseteve. Në këtë raport ishin identifikuar vetëm 78 asete, përderisa regjistri i aseteve përmban 89 asete. Përveç, kësaj gjatë krahasimit të asteve të identifikuara në raportin e komisionit me regjistrin e aseteve, kemi vërejtur se ekzistojnë mospërputhje mes tyre.

“Në regjistrin e aseteve ekzistojnë 21 asete me vlerë neto në libra 18,852€ të cilat nuk ishin përfshirë në raportin e komisionit për inventarizim, ndërsa 15 asete të cilat figurojnë në raportin e komisionit nuk ekzistojnë në regjistrin e aseteve. Përkundër diferencave të identifikuara, Kompania nuk kishte bërë harmonizimin në mes të raportit të inventarizimit dhe regjistrit të aseteve”.

Sipas ZKA, mos barazimi i gjendjes faktike të aseteve me regjistrat kontabël ka rezultuar me prezantime dhe shpalosje jo të duhura të aseteve në PFV.

Po ashtu, është evidentuar edhe, regjistër jo i plotë i aseteve dhe mos regjistrimi i tyre në shënimet kontabël

“Nga gjithsejtë 85 asete, me vlerë neto në libra 1,396,092€, shumë e cila është prezantuar në pasqyra financiare, vetëm një aset nga to (ndërtesa) në vlerë 1,002,616€ ishte e regjistruar në të dhënat kontabël, ndërsa asetet tjera mbahen të regjistruara në një fletë Excel – i. Për më tepër, për një aset me kosto historike 4,080€, Kompania nuk posedon dëshmi, ndërsa në një rast tjetër edhe pse ekzistojnë dëshmitë e blerjes së asetit, aseti me kosto historike 9,520€ apo me vlerë neto në libra 4,760€ nuk ishte prezantuar në regjistrin e aseteve”, shkruhet në raport.

Mos regjistrimi i aseteve në shënimet kontabël, sipas auditorit rrezikon që asetet të jenë subjekt i humbjes apo manipulimit të shënimeve financiare. Ndërsa, mos përfshirja e aseteve në regjistër si dhe mungesa e dokumenteve burimore, ndikon në besueshmërinë e informacionit financiar në pasqyrat financiare.

Të gjetura ka edhe tek lidhja e kontratave. Konkretisht është gjetur “Nënshkrimi i kontratës për furnizim pa siguri të ekzekutimit”. Është gjetur “Kryerja e procedurave të rekrutimit pa u plotësuar numri i kërkuar i kandidatëve të cilët plotësojnë kërkesat e konkursit”.

Është evidentuar “Kompensimi i anëtarëve të Bordit Drejtues me ndihmë financiare pa të drejtë”. Bile në këtë ras, Bordi Drejtues i Kompanisë, edhe përkundër kërkesës ligjore që pagesat për drejtorët e Bordit Drejtues të bëhen sipas Vendimit të Aksionarit, kishte marrë vendim për kompensim me dy paga shtesë për anëtarët e saj, në shumën 3,528 euro., në emër të ndihmës financiare.

Është gjetur shpallje publike e konkursit në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ si dhe Rregulloren e Brendshme për Sistematizimin e vendeve të punës.

Për të gjitha të gjeturat, Auditori ka dhënë rekomandimet për Bordin drejtues që të ndërmerren masa. Ndërsa, ka dhënë opinion të kundërt për pasqyrat financiare vjetore.

Komento: