
Zemaj, qeverisë: Njerëzve ia dhatë lirinë që s’ka virus për shkak të qeverisë së re, ky është gabimi më i madh.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka treguar arrogancë duke dashur të tregojë se po e menaxhon pandeminë ndryshe, duke etiketuar dhe fyer qeverisjen e kaluar.
“Do të dukej e pandershme, dhe mbi të gjitha do të tingëllonte subjektive, të shprehim kritikat, fyerjet dhe etiketimet në aspektin profesional, intelektual dhe moral mbi të gjitha në raport me atë se si është sjellë Lëvizja Vetëvendosje, kryetari Albin Kurti dhe të tjerët në raport me situatën pandemike vitin e kaluar në Kosovë duke shprehur një lloj arrogance për të treguar diferencim në menaxhimin e pandemisë të rrezikshme që e ka përfshirë gjithë globin”.
“Në vazhdimësi me sinqeritetin më të madh e kemi shprehur gatishmërinë që sadopak me kontributin tonë modest të japim vlerësimin e situatës pandemike dhe jo të merremi me krahasime dhe etiketime, se ka të bëjë me jetën e njerëzve. Nuk do ta përdorim as sot shifrën e vdekjeve ashtu siç e përdornit ju ‘vrasjen’ – është e ulët, tepërt e ulët dhe është fatkeqësi në fjalorin politik. As rritjen e numrit të rasteve të përdorim termin ‘katastrofë humanitare’. E gjitha ka të bëjë me qasjen, angazhimin dhe reflektimin se si lëviz lakorja e virusit”.
Ai, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se rritja e numrit të rasteve me COVID-19 është alarmante derisa tha se gabimi më i madh i qeverisë është që e ka krijuar përshtypjen që në Kosovë më s’ka virus.
“Rritja enorme dhe katastrofale brenda javëve në 1000 raste me testime dhe pa identifikim të rasteve të kontaktit situata është alarmante. E kemi lut dhe prapë e lusim qeverinë që t’i kthehet vetvetes dhe realitetit, dhe jo etiketimeve dhe krahasimeve. Fati i mirë i Kosovës është mbështetja e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kjo duhet të jetë qasja në menaxhimin e situatës pandemike, jo vetëm qasja e panikut dhe mbylljes. Kjo të rikthen në pikën zero dhe në rritjen e numrit të rasteve kurdo që ka hapje të tepruar dhe pa kontroll”.
“I kemi thënë mos i largoni infermierët dhe inspektorët sanitarë, mos ia ndalni shtesat mjekëve dhe mos bëni veprime që tregojnë se pandemia në Kosovë ka përfunduar. Ju e keni bërë këtë dhe ky është gabimi më i madh, që njerëzve ia keni dhënë lirinë që nuk ka virus në Kosovë për shkak të qeverisë së re dhe menaxhimit të situatës pandemike”.