
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24 orëve janë testuar 6.784 qytetarë nga të cilët 1.009 kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19, derisa janë shënuar 2 raste të vdekjes.
Sipas njoftimit, në 24 orët e fundit janë dhënë 17.986 doza të vaksinës kundër COVID-19.
“Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 539.752 doza të vaksinës. Deri më sot 183.240 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Sot janë shëruar 82 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 105.963. Në total numri i rasteve aktive është 4.414”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq qeveria e Kosovës ka ndërmarrë dje një sërë masash të reja.
Nga data 20 gusht e deri më 10 shtator, për një muaj rresht, qytetarët që nuk janë imunizuar ende kundër COVID-19, nuk do të lejohet të hyjnë në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambientet ku mbahen ahengjet (dasma, fejesa, ahengje familjare, etj.), grumbullimet, tubimet masive (festivale, koncerte, etj.), të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, nëse nuk posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme:
Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19.
Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;
Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;
Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.