Ministri Sveçla dhe drejtori i PK-së arrijnë në Ferizaj pas arrestimit të Krivaqës

14:21 | 24 Gusht 2021

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kanë shkuar në stacionin policor në Ferizaj, ku pak më parë është dërguar Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares M.O, i cili u arrestua në një fshat të këtij qyteti.

Pak më parë nga Policia e Kosovës është konfirmuar arrestimi i Krivaqës derisa u theksua se arrestimi i tij u bë pas dy ditësh në arrati.

I njëjti pas arrestimit është ndaluar për 48 orë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, , njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj, sot në orën 12 e 05 minuta, është arrestuar edhe personi i dytë i dyshuar dhe i është shqiptuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Komento: