E refuzon shpërblimin e Pacollit personi që ndihmoi policinë për arrestimin e Krivaqës

20:27 | 24 Gusht 2021

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka ofruar këtë të martë shpërblim për personin që ndihmon në identifikimin e Dardan Krivaqës si i dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj.

Naim Murseli, këshilltar i Pacollit, ka njoftuar se tashmë kanë krijuar kontakt me dëshmitarin për t’ia dhënë shpërblimin, duke mos përmendur shumën.

“Sot, një shpërblim iu premtua personit që e çon Policinë e Kosovës në arrestimin e vrasësit të Marigonës nga z. Behgjet Pacolli. Tani mund të konfirmojmë se jemi në kontakt me atë person i cili ka refuzuar çfarë do shpërblimi. Guximi civil është i rëndësishëm dhe duhet stimuluar më shumë!”, është shprehur ai.

Pacolli gjatë ditës ka thënë se do të ofrojë shpërblim për këdo që jep informacione që çojnë në arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e 18-vjeçares.

Policia e Kosovës ka publikuar dje fotografinë e Dardan Krivaqës, të dyshuarit kryesor në rastin e vdekjes së 18-vjecares nga Ferizaj, për të kërkuar ndihmë nga qytetarët për gjetjen e tij.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, kërkon bashkëpunim nga qytetarët, për identifikimin dhe vendodhjen e personit në kërkim policor, i cili dyshohet për ‘’Vrasje të rëndë’’. Vrasja e rëndë, ka ndodhur dje me datën 22.08.2021 në Ferizaj, ku humbi jetën 18 vjeçarja M.O (F/K) . I njejti, i dyshuari deri më tani nuk është paraqitur në polici dhe është në arrati. Personi i kërkuar është Dardan( Emrush) KRIVAQA, i lindur me 25.08.1992 , adresa : rr,,Ramdan Rexhepi ’’ kati V-të , nr # 3-Ferizaj”, tha Policia.

Sot gjatë ditës Policia njoftoi se është arrestuar i dyshuari kryesor i vrasjes së 18-vjeçares, M.O, Dardan Krivaqa.

Lajmin e ka konfirmuar para masës që po protestonin një zyrtar i policisë së Kosovës.

I arrestuar si i dyshuar për këtë rast është edhe Arbër Sejdiu që është arrestuar dy ditë më parë.

Krivaqa, emër i njohur për policinë ishte në kërkim tash e dy ditë.

Komento: