Po vazhdon në distancë përplasja mes presidentit Hashim Thaqit dhe kyrministrit Ramush Haradinaj rreth idesë për shkëmbim territoresh.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë të premten se presidenti Hashim Thaçi i ka bërë dëme të mëdha Kosovës, me përcaktimin e tij për t’i vënë kufijtë e shtetit në dialogun me Serbinë.
Qëndrimin e ka shprehur pas akademisë përkujtimore të organizuar në Prishtinë, për akademikun Idriz Ajeti, raporton Koha Ditore.
“Presidenti i ka bo dëme të mëdha vendit me idetë e tij lidhur me dialogun dhe me avancimet për ndarje të Kosovës”, ka thënë Haradinaj. “Pra, diskutimet e tij e kanë pru gjendjen ku jemi sot”.
Qëndrimin e ka shprehur, pasi është pyetur nëse ishte i qëndrueshëm konstatimi i kreut të shtetit se, me insistimin e tij, Haradinaj ka hequr dorë nga konferenca ndërkombëtare për Kosovën, një propozim që ishte vlerësuar se mund t’ia rihapte për negocim statusin Kosovës.
Ndryshe, raportet Haradinaj-Thaçi ka kohë që janë acaruar. Kjo është vërejtur më shumë kur Haradinaj po këmbëngul që taksa ndaj produkteve serbe e boshnjake të mos heqet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Një përplasje virtuale mes tyre ndodhi javë më parë kur Thaçi i tha përmes rrjeteve sociale Haradinajt se bora do të shkrihet por “shpresoj të mos bëhet skllotë”.