Policia me raport për arrestimin e aktivistëve të PSD-së: “Policët kanë pësuar lëndime”

10:09 | 08 Shtator 2021

“Policët kanë pësuar lëndime”, Policia me raport për arrestimin e aktivistëve të PSD-së.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e djeshëm të aktivistëve të Partisë Socialdemokrate, të cilët penguan konferencën e Kryetares së Gjykatës Speciale.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka thënë se pesë aktivistët janë arrestuar sepse kanë penguar policët gjatë kryerjes së detyrës, duke shtuar se të njëjtit kanë pësuar edhe lëndime.

Tutje, thuhet se edhe të dyshuarit edhe policët kanë pranuar tretman mjekësor.

“Rr. Agim Ramadani, Prishtinë, 07.09.2021 – 10:10. Janë arrestuar pesë të dyshuar, katër meshkuj dhe një femër të gjithë kosovarë pasi që kanë penguar zhvillimin e një aktiviteti dhe se gjatë kohës sa ka intervenuar policia, të njëjtit i kanë penguar policët në kryerjen e detyrës, me ç ‘rast, policët kanë pësuar lëndime trupore. Të dyshuarve dhe policëve iu është ofruar tretmani i nevojshëm mjekësor. Me vendim prokurorit i shtetit të dyshuarit të lirohen në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.

Komento: