Bislimi flet pas takimit në Bruksel: Kosova është kundër vazhdimit të marrëveshjes për targat e veturave me Serbinë

13:48 | 09 Shtator 2021

Bislimi: Kosova është kundër vazhdimit të marrëveshjes për targat e veturave me Serbinë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se të martën ka zhvilluar tri takime në Bruksel.

Në njërën prej takimeve, temë e diskutimit me palën serbe dhe evropiane ka qenë implementimi i marrëveshjes për energjinë dhe targat e veturave.

Në një konferencë të mbajtur sot, Bislimi tha se qëndrimi i palës kosovare është që të mos vazhdohet më kjo marrëveshje, teksa pala evropiane këtë e ka interpretuar si shkelje të njëanshme të Kosovës.

“Unë e kam argumentuar se kjo nuk përbën shkelje, sepse targat e regjistrimit në Kosovë nxirren me afat njëvjeçar dhe marrëveshja ka qenë me skadencë me datë 15 shtator, rrjedhimisht do të ishte ilegale që t’i nxjerrim targat pas kësaj date me afat njëvjeçar me KS sepse të njëjtat nuk do të ishin me afat njëvjeçar dhe do të ishte mashtrim i qytetarëve”, është shprehur Bislimi në konferencë për media, njofton Klankosova.tv.

I dyti i Qeverisë së Kosovës tha se deri sot ka ende në qarkullim vetura me targa KS dhe RKS, që sipas tij i bie se Kosova e ka respektuar në plotni këtë marrëveshje.

Komento: