Për dy javë KFOR-i do të qëndrojë në veri

10:54 | 02 Tetor 2021

KFOR, ka treguar se sa ditë do të qëndrojë në veri të vendit.

Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO njofton se ka filluar të ndërmarrë hapa në mbështetje të zbatimit të marrëveshjes së fundit mbi shtensionimin e situatës në veri të Kosovës dhe rrugën për të ecur para, të arritur mes Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të Dialogut Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga BE.

Në komunikatën për media thuhet se në përgjigje të zhvillimeve në Kosovën veriore ditët e fundit, misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO tashmë kishte shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të trafikut të prekura nga bllokadat e rrugëve dhe kishte vendosur njësi në pikat e kalimit kufitar në Jarinje dhe Bernjak.

“Nga kjo fundjavë dhe për dy javët e ardhshme, KFOR-i do të ketë një prani të përkohshme, të fuqishme, dhe të shkathët në atë zonë, në përputhje me marrëveshjen e lartpërmendur, dhe në përputhje me mandatin e tij që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të qetë, të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga KFOR-i.

Njësia speciale e Policisë së Kosovës pritet të tërhiqet nga pikat kufitare në Jarinje dhe Bënjak gjatë ditës së sotme.

Komento: