Gashi: Qeveria Kurti i pranoi targat ilegale si targa zyrtare në Kosovë

11:29 | 04 Tetor 2021

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel Qeveria e Kosovës e njeh legjitimitetin e Serbisë brenda territorit të shtetit tonë. E këtë, sipas Gashit, nuk e ka bërë asnjë Qeveri më parë.

Ai tha se kryeministri Kurti dy javë më parë doli me pompozitet për të folur për aksionin në veri, por sipas tij, sot rezultatet janë të dhimbshme. Pasi shprehet se Qeveria Kurti i pranoi targat ilegale si targa zyrtare në Kosovë.

“Pas shout të para dy javësh ku kryeministri i Kuvendit doli me pompozitet në këtë foltore duke deklaruar aksionin në veri, rezultatet sot janë të dhimbshme. Më kujtohet kur i thash kryeministrit se po bën shou dhe kur i thash se veprimet e policisë duhet të jenë institucionale dhe shtetërore dhe jo politike me agjenda zgjedhore, dhe kur I thash se duhet të jetë e përgatitur policia në kufi që të zbatojë një urdhëresë shtetërore për të zbatuar ligjet e këtij vendi, deputetët përballë bënë zhurmë dhe çaravesheshin”, tha Gashi në Kuvend, transmeton Express.

“Kemi një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për tërheqjen e forcave policore nga veriu, pse duhet qeveria e Kosovës të bëjë marrëveshje për t’u tërhequr nga pjesë të territorit të vet. Cila është strategjia e Qeverisë së Kosovës në raport me Serbinë”, vijoi ai.

Tutje, Gashi tha se Qeveria me marrëveshjen e parë të bërë, ka pranuar targat ilegale si targa zyrtare në Kosovë.

“Qeveria aktuale marrëveshjen e parë që e bën, është për pranimin e strukturave dhe targave ilegale si targa zyrtare në Kosovë. Pra, për ta sqaruar, unë po e citoj zv.kryeministrin e Kosovës i ngarkuar me dialogun, i cili thotë një ditë para se të nënshkruhet marrëveshja “Ne kemi dakordim në të gjitha pikat, e vetmja pikë ku pala serbe nuk e ka dhënë pëlqimin ka të bëjë me targat e veturave KM, për të cilat ata mendojnë që nuk do të duheshin të aplikojmë stikersat, ne mendojmë se kjo është absurde sepse ato targa janë ilegale dhe nuk mund të nënshkrujmë marrëveshje që e favorizojnë atë, tash zv.kryeministri a mendon që këto targa janë ilegale apo legale. Sepse ka nënshkruar një marrëveshje me të cilën këto targa i njeh si targa të Serbisë dhe targat që identifikohen me territorin e Kosovës”, u shpreh ai tutje.

Me këtë marrëveshje, Gashi tha se Qeveria e ka kthyer vendin 10 vite prapa.

“Ju keni nënshkruar një marrëveshje, ku këto targa që lëshohen në territorin e Serbisë, njihen si targa të Serbisë për terrotorin e Kosovës, pra e njihni legjitimitetin e Serbisë në territorin e Kosovës, asnjë qeveri më parë nuk e ka bë këtë punë, asnjë hiç. Ju e keni bë, ky është rezultati i asaj euforie dhe sjellje të papjekur dhe të pakoordinuar”, tha ai.

Komento: