Borrelli i lumtur me marrëveshjen e fundit Kosovë – Serbi, fton të vazhdohet dialogu

13:22 | 06 Tetor 2021

Përfaqësuesi i Lartë Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, është shprehur i lumtur që Kosova e Serbia kanë “tejkaluar krizën me targat e veturave” dhe i ka ftuar palët të vazhdojnë me dialog.

Borrell po merr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni, ku janë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, jam i lumtur të shoh se ditëve të fundit kemi tejkaluar disa vështirësi në kufi, në veri të Kosovës. E tash duhet të vazhdojmë me dialog për të zgjidhur problemet mes vendeve kandidate. Në rrugën drejt Evropës, diferencat duhet të mbeten anash dhe të vazhdohet me reforma”, ka thënë Borrell.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova e Serbia arritën marrëveshje për targat e veturave javën e shkuar.

Pasi Qeveria e Kosovës kishte vendosur masë reciprociteti për veturat me targa të Serbisë, serbët bllokuan dy rrugët kufitare që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Me Marrëveshjen e fundit, simbolet shtetërore në targa mbulohen kur kalojnë kufirin.

Komento: