Sveçla nënshkruan me Slloveninë marrëveshje për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore

18:18 | 07 Tetor 2021

Një marrë veshje të rëndësishme ka nënshkruar sot Ministri i Punëve të Brendshme.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe homologu i tij slloven Matej Toni sot kanë nënshkruar marrëveshjen ndërmjet dy vendeve për bashkëpunim në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.

Marrëveshja rregullon kushtet kornizë për bashkëpunim në parandalimin e fatkeqësive dhe gatishmërinë për ofrimin vullnetar të ndihmës reciproke në rast fatkeqësish në territorin e palës tjetër, dhe forma të tjera të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Bashkëpunimi midis palëve do të ndjekë parimet e reciprocitetit dhe do të kryhet brenda kapaciteteve të palëve. Me marrëveshjen e nënshkruar, bashkëpunimi mes dy vendeve do të zhvillohet në fusha të ndryshme.

Përveç mbrojtjes nga fatkeqësitë dhe ndihmës për shpëtimin dhe lehtësimin e fatkeqësive, marrëveshja gjithashtu parashikon bashkëpunim në shkëmbimin e njohurive shkencore dhe teknike dhe transferimin e ekspertizës për mbrojtjen nga katastrofat, edukimin dhe trajnimin e personelit të përfshirë në aktivitetet e mbrojtjes dhe shpëtimit, zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve mbrojtëse dhe të shpëtimit.

Të dy vendet gjithashtu do të bashkëpunojnë edhe në informimin e njëri -tjetrit në lidhje me rreziqet e aksidenteve dhe pasojat e tyre.

Komento: