Kurti harron që është Kryeministër, e kërkon votën si të ishte në opozitë

13:12 | 10 Tetor 2021

Kur kanë mbetur edhe një javë nga dita e zgjedhjeve lokale, Albin Kurti, si shef i Qeverisë së Kosovës është vënë në lëvizje bashkë me ministrat në përkrahje të kandidatëve të partisë që drejton.

Kurti sot ka vendosur që përmes një video-mesazhi t’iu drejtohet aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke iu kërkuar që përveç motorëve, t’i ndezin edhe turbinat.

Ajo që spikat në këtë video është gjuha prej opozitari që përdor Kurti, ku sulmon partitë tjera, duke vazhduar të përmend pretendimet e tij për miliona të vjedhura.

“Udhëkryqi para këtyre zgjedhjeve është i tillë: nga njëra anë kandidatët e VETËVENDOSJE!-s me zgjidhje optimale për probleme reale, nga ana tjetër ata që paguajnë me milionat e vjedhura deri dje për video e marketing sot, me shpresë që nesër të zhvasin përsëri. Aktivist i dashur! Tash që i ke ndezur motorat, ndezi edhe turbinat, e në këtë javën e fundit ta tejkalojmë çdo parashikim, siç kemi bërë gjithnjë në zgjedhjet e kaluara. Sepse bashkë do të qeverisim”, dëgjohet duke thënë Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e fundit nacionale me 50.02 %, duke formuar kështu e vetme institucionet e vendit. Megjithatë Kurti në vazhdimësi ka theksuar se e njejta duhet përsëritet edhe në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Videon mund ta shikoni KËTU

Komento: