Hoti akuzon Thaçin, Haradinaj dhe Veselin për shkelje të Kushtetutës

09:37 | 05 Mars 2019

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se tre krerët e shtetit janë shkelës të Kushtetutës

“Sovraniteti dhe kufiri i Kosovës mbrohen me vendime kushtetuese. Kryeministri, kur e ka deleguar dialogun me Serbinë te presidenti, e ka shkelur Kushtetutën duke mos ushtruar detyrimet e tij kushtetuese”.

“Presidenti po e shkel çdo ditë Kushtetutën duke u angazhuar, brenda dhe jashtë Kosovës, për korrigjim të kufijve”, ka thënë ai përmes Facebook.

“Kryeparlamentari është vetëm spektator, bën fushatë në terren me fjalë të ashpra pa asnjë seriozitet institucional, ndërkaq e quan veten shef të koalicionit PAN”.

Ai ka shtuar se për t’i mbuluar dështimet dhe angazhimet e tyre jokushtetuese, presidenti, kryeministri e kryeparlamentari kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit.

“Në një fushatë të ashpër, ata po i shtyjnë para agjendat e tyre klanore e partiake, duke e dëmtuar shtetin e Kosovës”.

“Për të dalë nga kjo situatë, sa më parë duhet t’u japim mundësi qytetarëve të shtetit sovran të Republikës së Kosovës, në kufijtë e 17 shkurtit 2008, të thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira”.

Komento: