Arsyet pse duhet të pezullohet taksa 100% sipas Shkelzen Maliqit

10:27 | 05 Mars 2019

Shkelzen Maliqi sugjeron që taska 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës duhet të pezullohet.

Njohësi i çështjeve politike, Shkelzen Maliqi, përmes një shkrimi ka sqaruar se pse Republika e Kosovës duhet ta pezullojë taksën 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Sipas tij, nuk është i saktë argumenti se diplomatët e huaj po i bëjnë presion vetëm Kosovës për taksën, ndërkaq mungon presioni ndaj Serbisë.

Maliqi, përmes këtij shkrimi, theksoi se diplomatët e SHBA-ve dhe të Gjermanisë, po edhe top diplomatët nga BE-ja, i bëjnë presione edhe Serbisë që ta njeh pavarësinë e Kosovës duke theksuar se ky është kusht për integrimin e saj në BE.

“… por, diplomacia perëndimore njohjen e Kosovës nga Beogradi e sheh si pjesë të vazhdimit të dialogut që duhet të përfundojë shpejt me një marrëveshje pajtimi dhe njohje të ndërsjelle ndërshtetërore Kosovë – Serbi”, ka thënë ai.

Më tej, publicisti tërhoqi vëmendjen se dialogu është proces brenda të cilit duhet të prodhohen marrëveshjet obligative mes dy palëve që eliminojnë arsyet për taksën që e ka vendosur Qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia.

“Qeveria e Serbisë e shfrytëzon taksën, përkatësisht kërkon heqjen e saj si kusht për vazhdimin e dialogut, duke e mbajtur atë të bllokuar. Andaj, presionet e diplomatëve për pezullimin e taksës dhe debllokimin e dialogut nuk janë të njëanshme por godasin edhe Kosovën edhe Serbinë me imperativin e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë . Pezullimi i taksës pezullon edhe bllokadën serbe të dialogut dhe marrëveshjes që, nëse do të arrihet, sjell njohjen e Kosovës nga Serbia”, ka shkruar ai.

Komento: