Kadri Veseli përkujton epopenë e lavdishme të familjes Jashari

11:05 | 05 Mars 2019

Kadri Veseli ka kujtuar epopenë e lavdishme të familjes Jashari.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka kujtuar 5 marsin, ditën e rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.

Kryeparlamentari Veseli, nëpërmjet një statusi në faqen e tij në Facebook, ka thënë se më 5 mars 1998, në Prekaz ka nisur të ndryshojë historia e kombit shqiptarë dhe Kosova nga aty nisi rrugën e pakthim drejt lirisë.

“Adem Jashari dhe familja e tij ranë, që kombi ynë të ngritej në këmbë. Dhe ne u ngritëm. I madh e i vogël, burra e gra, nga të gjitha katër anët e kombit, nga të katër anët e diasporës. U bashkuam nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëmë realitet ëndrrën për të cilën ra Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të lirisë”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Statusi i plotë i Kadri Veselit:

Janë disa ngjarje që bartin peshën e ndërrimit të epokave. Ato shënojnë ndarjen e të tashmes prej të shkuarës, duke hapur shtigje të reja nëpër të cilat ecin popujt dhe shtetet. Një peshë të tillë padyshim e ka 5 marsi i vitit 1998.

Atë ditë në Prekaz po ndryshonte historia e kombit tonë. Kosova po niste rrugën e pakthim drejt lirisë dhe padyshim simboli më unik i kësaj rruge ishte Adem Jashari dhe familja e tij martire. Lufta dhe rënia e tyre, sakrifica e tyre e pashembullt në historinë njerëzore, e vulosën përcaktimin e popullit tonë për liri. Adem Jashari dhe familja e tij ranë, që kombi ynë të ngritej në këmbë. Dhe ne u ngritëm.

I madh e i vogël, burra e gra, nga të gjitha katër anët e kombit, nga të katër anët e diasporës. U bashkuam nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëmë realitet ëndrrën për të cilën ra Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të lirisë. LAVDI!

Komento: