Ramush Haradinaj mbështet presidenten Osmani për dëbimin e zytarëve rus nga Kosova

17:42 | 22 Tetor 2021

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se e mbështet presidenten Vjosa Osmani, për dëbimin e dy zyrtarëve rus nga Kosova.

Sot, Vjosa Osmani, ka njoftuar se dy persona, zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë, janë shpallur non grata nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Haradinaj ka thënë se askush që ushtron aktivitete që cenojnë sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës, nuk është i dëshiruar në Kosovë.

“Në këtë frymë, mbështes kërkesën e Presidentes Osmani dhe vendimin e MPJD për shpalljen persona të padëshiruar dhe dëbimin e dy zyrtarëve rus nga Kosova. Secili që tejkalon rregullat e qëndrimit në vendin tonë, duhet të trajtohet sipas ligjit. Ndikimi rus në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duhet të luftohet me vendosmërinë më të madhe nga institucionet tona”, ka shkruar ish kryeministri Haradinaj.

Sipas presidentes Osmani, dëbimi i zyrtarëve rus ka ndodhur për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Komento: