Zyra Kombëtare e Auditimit: Disa institucione kanë blerë bileta gjashtë herë më të shtrenjta se biletat e klasës ekonomike

14:37 | 26 Tetor 2021

ZKA: Disa institucione kanë blerë bileta gjashtë herë më të shtrenjta se biletat e klasës ekonomike.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar Raportin e auditimit të performancës “Kontratat e centralizuara – Shërbimet e transportit ajror” për vitet 2016-2019, ku sipas këtij raporti disa institucione kanë blerë bileta gjashtë herë më të shtrenjta se biletat e klasës ekonomike.

Sipas komunikatës së ZKA’së, pjesë e këtij auditimi kanë qenë Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe komuna e Gjilanit, Gjakovës, Vushtrrisë dhe të Suharekës.

“Procesi i auditimit ka evidentuar se disa nga organizatat buxhetore kishin bërë më shumë shpenzime se sa ishte parashikuar fillimisht për shkak të blerjes së numrit të madh të biletave të klasave më të larta se klasa ekonomike e udhëtimit e që ishin prej dy deri në gjashtë herë më të shtrenjta se biletat e klasës ekonomike.

Rezultatet e këtij auditimit tregojnë se shpenzimet për udhëtime në klasa më të larta sesa klasa ekonomike përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve për shërbimet e transportit ajror”, thuhet në komunikatë.

Sipas raportit të Auditorit, janë tre faktorë kryesor që kanë ndikuar në rritjen e vlerës së shpenzimeve për shërbimet e transportit ajror,.

“Bazuar në gjetjet e auditimit rezulton se tre faktorët kryesor që kanë ndikuar në rritjen e vlerës së shpenzimeve për shërbimet të transportit ajror janë udhëtimet në biznes klasë, shtyrjet e udhëtimeve dhe anulimet e udhëtimeve.

Shuma e rimbursimit për biletat e anuluara ishte mesatarisht rreth 59% e çmimit blerës. Kjo nënkupton se rreth 41% e vlerës së biletave të anuluara janë shpenzime për bileta që nuk janë shfrytëzuar, gjë që ka kontribuar në rritjen e shpenzimeve të përgjithshme të kontratave për shërbime të transportit ajror duke i quar në skadim të parakohshëm”, thuhet tutje në komunikatë.

Komento: