
Qytetarët po hezitojnë të imunizohen me vaksinë.
Numër i vogël i qytetarëve të Kosovës vendosën të vaksinohen në 24 orëshin e fundit në vend.
Në nivel vendi ishin vetëm 3 mijë e 639 qytetarë të cilët u vaksinuan përgjatë kësaj kohe.
Pavarësisht kësaj, në kuadër të vaksinimit antiCOVID në stok vazhdojnë të jenë rreth 300 mijë vaksina kundër virusit COVID-19.
Kjo është bërë e ditur për lajmi.net nga Ministria e Shëndetësisë.
Përpos kësaj nga Ministria e Shëndetësisë është theksuar se gjatë javës së kaluar është bërë furnizimi me vaksinat antiCOVID, derisa pritet që në javën në vazhdim apo javën e dytë të nëntorit të bëhet furnizimi i radhës.
“Në stok ka rreth 300 000 vaksina kundër COVID-19. Javën e kaluar është bërë furnizimi, presim javën tjetër dërgesën e radhës nëse jo edhe më herët”, u tha në përgjigjen e MSH-së.
Gjatë ditëve të kaluara në sheshet e kryeqytetit janë parë ekipe mobile të cilat vaksinonin qytetarët me vaksina antiCOVID.
E sipas MSH-së çdo javë pritet të ketë aksione me ekipe mobile për vaksinim në komuna të ndryshme. Madje është thënë se në këtë fundjavë do të ketë në disa mjedise të ndryshme, përfshirë këtu sheshet apo edhe qendrat tregtare.
Vaksinimi antiCOVID në kuadër të qendrave tregtare pritet të fillojë nesër.
Qendra tregtare e parë në të cilën qytetarët do të kenë mundësinë e vaksinimit është ‘AlbiMall’.
Tash e tutje të gjithë ata që vizitojnë këtë qendër dhe nuk janë vaksinuar, këtë gjë kanë mundësi ta bëjnë këtë duke filluar prej nesër.
“Çdo javë do të ketë aksione me ekipe mobile për vaksinim në komuna të ndryshme. Edhe në këtë fundjavë do të ketë në disa mjedise të ndryshme, përfshirë sheshe apo edhe qendrat tregtare”.
Deri më tani në Kosovë janë administruar mbi 1.573.563 vaksina.
“Në nivel të grupeve të synuara (popullata mbi 65 vjeç), me të paktën një dozë janë vaksinuar rreth 65 përqind, ndërsa me dy dozat rreth 56 përqind e popullsisë.
Ndërsa në nivel të gjithë popullsisë sipas Ministrisë së Shëndetësisë me të paktën një dozë nga vaksina antiCOVID janë vaksinuar afro 50 përqind e popullsisë, kurse me dy dozat mbi 41%.
Përpos përballjes me virusin COVID-19, në kuadër të stinës së dimrit padyshim se shumë prej qytetarëve u duhet të përballen edhe me gripin sezonal.
E për këtë vaksinimi po vazhdon të bëhet në kuadër të Qendrave të Kujdesit të Mjekësisë Familjare, por edhe në qendrat e vaksinimit kundër COVID-19.
“Meqë janë pothuajse të njëjtat ekipe që e bëjnë vaksinimin si për COVID-19, ashtu edhe për gripin sezonal. Në Prishtinë shembull vaksinimi bëhet për të dyja në sallën 1 Tetori”, u tha në përgjigjen e ministrisë.
Duhet përkujtuar që Kosova është një nga shtetet e fundit në Ballkan që nisi vaksinimin antiCOVID. Fillimisht problemi qëndronte në mos-arritjen e furnizimit me vaksina. Me të arritur që në stok të ketë mjaftueshëm vaksina, shumë prej qytetarëve vazhdojnë të hezitojnë sa i përket këtij vaksinimi.
Pasojat e përballjes me këtë virus në nivel të vendit në Kosovë ishin mjaftë të larta. 2 mijë e 978 qytetarë të Kosovës humbën jetën nga koronavirusi që nga konfirmimi i rasteve të para.
Përpos humbjes së shumta të jetëve, COVID-19 ndikim mjaftë të madh pati edhe në problemet ekonomike të cilat vazhdojnë të jenë shumë të rënda për qytetarët