Haradinaj insiston që të mbahet seanca për dialogun, kërkon nga opozita të mos e lëshojnë sallën

11:44 | 07 Mars 2019

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme ku pritet të diskutohet për platformën për dialog.

Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se sot duhet të diskutojnë rreth dialogut me Serbinë, platformës dhe delegacionit. Ndonëse ka pasur mospajtime për mbajtjen e kësaj seance për shkak të Epopesë së UÇK-së, Haradinaj ka thënë se është në interes të të gjithëve të mbahet.

Haradinaj tha se nuk e di se kujt mund t’i pengojë që sot të flitet për tema kaq të rëndësishme, transmeton express.

“Është kërku seancë e jashtëzakonshme për tema aktuale. Nuk e di cili akterë nuk i ka në interes këto tema. Nëse e keni punën për kohën, unë mendoj se mund të diskutohet edhe sot”, ka thënë Haradinaj.

“Ligji për delegacionin shtetëror por edhe platforma janë tema që duhet diskutuar. I ftoj të gjithë deputetët të flasin. Me e rujtë Kosovën e 17 Shkurtit, prandaj të gjithë e keni mundësinë që sot të jepni kontributin tuaj”, është shprehur kryeministri në seancën e jashtëzakonshme.

Ndërkaq, kur LDK-ja kërkoi që seanca e jashtëzakonshme të shtyhet për shkak të ditës së tretë të Epopesë së UÇK-së, koalicioni qeverisës ishte kundër shtyrjes.

“Ne e kemi kërkuar një seancë të jashtëzakonshme dhe në asnjërën prej tyre deputetët e koalicionit nuk kanë marrë pjesë me arsyetim të Epopesë. Megjithatë, sot është dita e tretë e Epopesë dhe masakrës mbi familjen Jashari dhe mbahet një seancë e cila nuk është aspak urgjencë. Së paku në këtë ditë nuk do ishte dashur diskutohet, kërkoj në emër të LDK-së që ky debat të shtyhet për një ditë tjetër”, ka thënë Hoti.

Edhe përkundër votimit, kryeparlamentari Veseli tregoi se nuk e shihte krejt të rregullt thirrjen e kësaj seance.

Komento: