Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka reaguar ndaj presidentit serb, Aleksander Vuçiq.
Ai deklaratat e tij i ka quajtur retorikë luftënxitëse të njëjta me, siç thotë ai, ish-shefin e tij Sllobodan
Millosheviq, duke i frikësuar qytetarët serbë dhe fajësuar gjithë botën.
“Si duket Vuçiqi po përgatitet ta destabilizojë rajonin, gjithmonë duke i përdorur bashkëqytetarët tanë serbë të Kosovës, të cilët janë në presion për t’i shërbyer qëllimeve të tij politike”, ka shkruar Limaj.
Postimi i Limajt në Facebook:
Presidenti serb, Aleksandar Vuciq, me retorikë luftënxitëse si ish-shefi i tij Millosheviqi, duke i frikësuar qytetarët serbë dhe fajësuar gjithë botën, si duket po përgatitet ta destabilizojë rajonin, gjithmonë duke i përdorur bashkëqytetarët tanë serbë të Kosovës, të cilët janë në presion për t’i shërbyer qëllimeve të tij politike.
Me paralajmërimet e vazhdueshme se do të marrë masa duke përcaktuar afate kohore, tregon se ai po tenton t’i përdorë edhe këtë herë serbët e Kosovës për interesa të veta. Në fakt, kjo është shkolla e Millosheviqit që Vuçiqi me shumë përkushtim po mundohet ta imitojë ish shefin e tij në çdo gjë.
Shtirja e tij e alarmuar për platformën tregon më së miri se sa larg është ai nga realiteti.
Kosova pas tre muajve mbush 20 vjet që është e lirë. Ndërsa para afro një muaji festuam 11-vjetorin e Pavarësisë. Në platformën e miratuar një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës nuk ka asgjë tjetër përveç përshkrimit të këtij realiteti që sot ekziston. Porosia ime për të është ta pranojë realitetin e krijuar tash e dy dekada në këtë pjesë të Ballkanit.