Para pak ditësh në Gjilan ndodhi një aksident tragjik ku humbi jetën një person dhe mbetën të lënduar shumë të tjerë.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar 30 ditë mbajtje për pronarin e kompanisë së ujit Peja – kamioni i së cilës shkaktoi aksidentin në Gjilan.
Mbrëmë Prokuroria në Gjilan kishte ndaluar rreth orës 19:30 minuta të dyshuarin V.T në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të veprës penale, ‘’Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ky është njoftimi i plotë i Prokurorisë së Gjilanit:
Prokuroria Themelore në Gjilan, mbrëmë rreth orës 19:30 minuta, ka ndaluar të dyshuarin V.T., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale, ‘’Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka ndaluar të dyshuarin V.T., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti, si person përgjegjës i kompanisë, më 7 mars 2019, e kishte lejuar të dalë në qarkullim automjetin transportues – kamionin, e markës ‘’Scania’’, pronë e SH.P.K ‘’VEV GROUP’’ – Prishtinë, i cili ka qenë pa regjistrim dhe pa kontrollë teknike që nga data 18 gusht 2017, të cilin e ka drejtuar shoferi i kësaj kompanie M.A., me ç’rast i njëjti ka shkaktuar aksident trafiku, si pasojë e të cilit përveç dëmeve materiale, lëndime të lehta trupore kanë pësuar 23 persona, lëndime të rënda trupore 3 persona, ndërsa lëndime të natyrës vdekjeprurëse ka pësuar, i ndjeri Q.Ç.
Prokurorja e rastit, sot ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së ndaljes, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan. /Lajmi.net/