
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po pezullojnë operacionet në ambasadën amerikane në Bjellorusi për shkak të çështjeve të sigurisë, ka deklaruar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Departamenti i Shtetit i SHBA ka pezulluar operacionet në Ambasadën tonë në Minsk, Bjellorusi dhe ka autorizuar largimin vullnetar (“largimin e autorizuar”) të punonjësve jourgjent dhe anëtarëve të familjes në Ambasadën tonë në Moskë, Rusi. Ne i morëm këto hapa për shkak të çështjeve të sigurisë që rrjedhin nga sulmi i pajustifikuar nga forcat ushtarake ruse në Ukrainë”, tha Blinken të hënën në mëngjes.
Po ashtu, CNN raporton se Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar sanksione tjera kundër Bjellorusisë.
“Shtëpia e Bardhë po vëzhgon nga afër veprimet e ndërmarra nga Bjellorusia dhe është përgatitur të vendosë më shumë sanskione ndaj vendit, pas raportimeve se forcat bjelloruse mund t’i bashkohen Rusisë në pushtimin e Ukrainës”, thuhet ndër tjera.
Blinken, në anën tjetër përmendi përparësinë më të lartë të departamentit që është siguria e qytetarëve amerikanë, duke përfshirë personelin e qeverisë së SHBA-së në mbarë botën.
“Departamenti i Shtetit rregullon vazhdimisht qëndrimin e tij në ambasada dhe konsullata në mbarë botën në përputhje me misionin e tij, mjedisin e sigurisë lokale dhe situatën shëndetësore. Në fund të fundit, ne nuk kemi prioritet më të lartë se siguria e qytetarëve amerikanë, dhe kjo përfshin personelin tonë të qeverisë amerikane dhe vartësit e tyre që shërbejnë në mbarë botën”, tha Blinken.